Pothuajse tre dekada pasi kanë fituar të drejtën mbi pronën e tyre, 35 familje në Lagunën e Nartës në Vlorë ende nuk kanë marrë aktet e pronësisë. Ata mbeten peng i një burokracie, në dukje, të pafundme, ndonëse gjykata i konfirmoi në 2012 se pronat e tyre ishin transferuar në mënyrë të paligjshme në një klan të fuqishëm lokal të lidhur me vjedhjen e pjesëve të bregdetit jugor të vendit përreth qytetit të Vlorës.
Një investigim i gazetares Lindita Çela për Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) tregon se si një figurë e nëntokës në Shqipëri, Artur Shehu, po përpiqet të investojë në bregdet pavarësisht se dyshohet se drejton një skemë për grabitjen e rreth 500 hektarëve tokë në disa prej zonave më turistike të Vlorës.
Një figurë e lidhur me organizatat kriminale në Shqipëri dhe me një dege të fuqishme të mafies italiane, Shehu u largua nga vendlindja e tij në 1999 pas një shkëmbimi zjarri në lokalin e tij që rezultoi me viktima.
Atij iu sigurua një azil politik në SHBA në 2001. Në 2019 mori ‘green card’, duke i hapur rrugën kështu fitimit të shtetësisë amerikane.
Ndonëse iku nxitimthi nga Shqipëria, ai vazhdoi të drejtonte operacionet në vendlindjen e tij nga një vilë në bregdetin e Floridas në Majemi të SHBA-ve.
Shehu nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim, por bashkëpunëtori i tij Pellumb Petritaj, i cili mbikqyr shumë nga pronat e tij, është shpallur fajtor për marrjen e pronave me falsifikime në emër të familjes Shehu.
Aktiviteti i Shehut është, megjithatë, i njohur në nivel lokal. Një komision gjyqësor e ka përshkruar atë në 2018 si “një lojtar kryesor” në vjedhjet e tokave përreth Vlorës. Kur u pyetën nga OCCRP pse nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim kundër Shehut pavarësisht provave nga çështje të shumta, zyra e prokurorëve në Vlorë nuk pranoi të komentonte.
Shehu nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me këtë çështje. Në vend të kësaj, ai iu afrua OCCRP përmes ndërmjetësve, që i ofruan gazetares ‘çfarëdo që të dëshirojë’ në këmbim të mospublikimit.
Por pas mbajtjes së një profilit të ulët në Vlorë prej disa vitesh, emri i Shehut kohët e fundit është shfaqur në dokumente që tregojnë interesa të reja biznesi në bregdetin shqiptar.
Në 2019 ai bashkë-themeloi një firmë për zhvillimin e hoteleve e quajtur Portonova, e cila ndan një emër me një plazh në periferi të Vlorës. Në Prill të vitit të kaluar, ai hapi një firmë tjetër për të zhvilluar vendet e turizmit, Adhenis. Duket se Shehu po përpiqet të krijojë një imazh të ri publik – një imazh që është shumë larg të shkuarës së tij të supozuar kriminale në një qytet që ishte i mbushur me gangsterë.
Në fund të viteve 1990 në Shqipëri Shehu ishte larguar nga forcat speciale të Shqipërisë, dhe ishte i njohur ndër radhët e policisë në Vlorës për përfshirje veprimtari kriminale, sipas një ish shefi policie në Vlorë që nuk preferoi të bëhej publik për arsye të sigurisë personale.
Dritan Zagani, që drejtonte njësinë anti-drogë në qytetin e Vlorës në fund të viteve 1990 u shpreh se ka bashkëpunuar me njësinë anti-drogë në Itali për të hetuar një rrjet kriminal ku dyshohej se qe përfshirë Shehu.
Cataldo Motta, një ish prokuror në Lecce, kujton gjithashtu rastin që përfshinte Shehun ‘Ai qe një emër i njohur. Ai qe në fashikujt tonë si i dyshuar për trafik droge.’
Shehu i dha OCCRP një letër që datonte në qershor 2016 e firmosur nga zyra e prokurorit në Lecce ku thuhet se ai nuk ishte dënuar atje, por refuzoi të përgjigjej në lidhje me këtë çështje, ose të komentonte për këtë histori.
Zagani u shpreh se koha e Shehut në Vlorë, përfundoi kur ai u detyrua të ikte nga Shqipëria pas një shkëmbimi zjarri në 1999 në një lokal që ai e zotëronte. Në shkëmbimin e zjarrit mbeti i vrarë daja i Artur Shehut, Luan Bedini.
Sipas dokumenteve të gjykatës së SHBA, Shehu ka qenë rezident i këtij vendi së paku që nga viti 2001. Në 2005, ai shkoi në Majemi ku ndërtoi një rezidencë të madhe me vlerë thuajse 3 milion dollarë. Regjistrat e pronave në Florida tregojnë se, përveç vilës Shehu zotëronte edhe disa prona të tjera të pantundshme në Majemi dhe zonat përreth.
Megjithëse Shehu ka shpenzuar thuajse dy dekada duke jetuar në Majemi, hetuesit e anti-mafia në Itali besojnë se ai ka vazhduar të drejtojë aktivitetin e tij në Vlorë.
Guglielmo Cataldi, prokuror në qytetin e Lecces, u shpreh se Shehu është hetuar në 2012 për rolin e tij në investimin e parave në Shqipëri për Albino Prudentino, një anëtar i rëndësishëm i organizatës mafioze ‘Sacra Corona Unita’.
Një vendim gjykate në Itali i siguruar nga OCCRP tregon se që nga 2009, Prudentino ka marrë me qira katin e parë dhe të dytë të një godine në zotërim të Shehut në Vlorë në zonën e Ujit të Ftohtë. Bosi i klanit mafioz italian drejtonte një restorant dhe një ëmbëltore në katin e parë dhe më pas në të dytin kishte një kazino.
Prudentino u shpall fajtor në 2013 për pastrim parash të mafias përmes këtyre bizneseve. Prokurorët italianë pretendojnë se Shehu fitoi rreth një milion euro duke ndihmuar Prudentinon por thanë se nuk kishin prova të mjaftueshme për ta akuzuar atë.
Shehu nuk u akuzua në Itali, por Cataldi u shpreh se çështja kundër tij iu kalua autoriteteve shqiptare për ta hetuar.
Prokuroria e Shqipërisë, policia dhe zyra e prokurorisë së Vlorës nuk pranuan të komentojnë mbi këtë çështje.
Duke nisur nga 2006, Shehu u angazhua në krijimin e një portofoli të madh të pronave rreth e qark Vlorës përmes mjeteve që banorët e zonës shprehen se janë të paligjshme.
Edhe pse ai dhe familja e tij përfituan nga mashtrimi i pretenduar, ai nuk është akuzuar asnjëherë në Shqipëri në lidhje me çështjet e pronave, por ortaku i tij Pëllumb Petritaj u dënua në 2018 për falsifikim të dokumenteve të tokës për të uzurpuar 187 hektarë tokë.
Në çështje të tjera gjyqësore që përfshijnë një total prej gati 300 hektarësh përreth Vlorës, Shehu dhe anëtarët e familjes së tij akuzohen për rrëmbimin e pronës përmes falsifikimeve të ngjashme. Kjo përfshin tokën në brigjet e Lagunës së Nartës.
Në këto çështje ende në gjykim, Petritaj pretendohet se do të falsifikonte dokumente me ndihmën e zyrtarëve lokalë për të marrë tokën për llogari të Arturit dhe babait të tij. Ndonjëherë një palë e tretë do të merrte tokën, pastaj e transferonte atë tek Shehu.
Një rast disiplinor i 2017 e gjeti gjyqtarin e Vlorës, Artur Malaj, të pushuar nga funksionet e tij gjyqësore për shkak të mungesës së etikës, duke përfshirë edhe një çështje të ngritur në lidhje me Shehun. Mes zbulimeve të komisionit që investigoi çështjen e tij u zbulua se tre anëtarë të familjes së tij kishin blerë tokë nga Shehu ndërsa Malaj nuk i kishte raportuar këto prona në komision.
Edhe ata me burime të konsiderueshme në dispozicion janë detyruar të ndërpresin marrëveshjet me Shehun. Ato përfshijnë një fondacion bamirësie të formuar në 2014 me misionin e rimarrjes së pasurisë stërgjyshore të Eftimiadis, një familje që emigroi nga Vlora në Itali në fillim të shekullit të 20-të.
Fondacioni Luca dhe Marco Eftimiadi nënshkruan një kontratë me Shehun në 2015, duke rënë dakord të pranonin 8 apartamente dhe tre hektarë vijë bregdetare dhe në këmbim do të hiqnin dorë nga çdo pretendim për tokën stërgjyshore. Petrit-aj nënshkroi kontratën në emër të Shehut.
Marrëveshja u prish shpejt. Fondacioni kishte synuar të ndërtonte një marinë të vogël që do të gjeneronte fonde për misionin e saj bamirës. Ky plan u ndalua kur fondacioni kuptoi se transferimi i tokës ishte bazuar në dokumente të falsifikuara, sipas Namik Alimuçi, një biznesmen shqiptar i cili ka drejtuar një lokal plazhi në pronë.
Saga e familjes Eftimiadi dhe pronës së saj është një nga qindra historitë e ngjashme në gjithë Shqipërinë. Një trashëgimi e hidhur e shtetëzimit të pronës gjatë komunizmit, e më pas një përhapje e madhe e vjedhjes së pronës gjatë përpjekjes për t’ia kthyer atë pronarëve.
Çështjet e tokës përreth Vlorës janë veçanërisht të komplikuara, sipas Elona Hodaj, një ish-drejtoreshë e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytet. ‘Ishte një situatë e krijuar për 25 vjet,’ tha ajo. ‘Ka vendime gjyqësore që i kanë dhënë të njëjtën pronë një herë një pale dhe një herë një pale tjetër.’
Hodaj zgjati më pak se një muaj në punë. Ajo është një nga 8 drejtorët që kanë dhënë dorëheqjen që nga Shtatori 2019, secili duke përmendur ‘arsye personale’ për largimin.
Kur ai erdhi në pushtet në vitin 2013, kryeministri Rama premtoi se do të zgjidhte problemin e pronave dhe do të mundësonte kthimin e pronave të vjedhura tek pronarët legjitimë.
‘Shqipëria nuk mund të jetë vendi, të cilin gjenerata tjetër ta trashëgojë si një vend ku grabitësit e falsifikatorët ta gëzojnë njëherë e përgjithmonë, produktin e veprës së tyre kriminale.’ u shpreh Rama në 2015.
Përpjekjet e qeverisë së tij deri më tani nuk kanë rezultuar me sukses. Hajdutët e pronave si Shehu kanë rritur fitimet e tyre, ndërsa të tjerë si Fondacioni Eftimiadi dhe fshatarët në Zvërnec, afër lagunës së Nartës, nuk kanë qenë në gjendje të rimarrin pronat e tyre.
Pas dështimit të negociatave labirinti burokratik dhe ligjor i kërkesës për pronë, ai dhe fshatarët e tjerë u ka mbetur vetëm një mundësi tjetër e pashpresë.
‘I kemi shkruar çdo kryeministri në çdo vit’, u shpreh Subashi. ‘I kemi shkruar dhe Edi Ramës.’- tha ai.
Përshtatur nga artikulli origjinal: From a Miami Mansion, an Alleged Mobster Amasses Albanian Property, – Lindita Çela,Organized Crime and Corruption Reporting Project