Është folur shumë këto ditë për këndin e lojërave që do të ndërtohet tek Parku i Liqenit. Mendimet e reagimet kanë mbuluar aspektet teknike të projektit, aspektet ligjore, aspektet mjedisore, etj. Pa anashkaluar rëndësinë e këtyre shqetësimeve, si prind dhe dikush që merret me fëmijët gjatë orëve të punës, dua të sjell në vëmendje rolin e rëndësishëm që ka qyteti në zhvillimin e fëmijëve të tij. Me fjalë të tjera, a është një park lojrash ajo ç’ka na duhet?
Qytetet për fëmijët janë e gjithë bota e tyre. Si të tillë, qytetet e kanë për detyrë të ofrojnë hapësira që u shërbejnë fëmijëve nga ana shëndetësore, edukative dhe argëtuese. Ose thënë në terma konkretë, qytetet dhe administratat që punojnë në emër të tyre, e kanë për detyrë të ngrenë për fëmijët hapësira për të luajtur, biblioteka, qendra shëndetësore, pishina, kopshte komunitare, etj.
Por, në procesin e organizimit të këtyre hapësirave, pra në procesin e qytet-bërjes, qytetet dhe qytet-bërësit nuk duhet të harrojnë që fëmijët nuk kanë nevojë për strukturë për të luajtur. Fëmijët mund të luajnë kudo, pavarësisht se të rriturit mundohen t’i kufizojnë aktivitetet e fëmijëve në zona të caktuara.
Sa herë ju ka ndodhur që të shihni fëmijët të luajnë me rërë dhe guacka? Besoj shumë herë, edhe pse ju mund të keni pasur frikë që rëra ka lloj lloj mbeturinash inerte dhe ushqimore.
Sa herë ju ka ndodhur të shihni fëmijët tuaj të luajnë me orë të tëra tek oborri i pallatit duke vrapuar? Besoj shumë herë, edhe pse ju keni qënë të merakosuar se mos i shtypin makinat që parkojnë tek hyrja e pallatit.
Sa herë ju ka ndodhur të shihni fëmijët tuaj të luajnë kukafshehti te bari ku pini kafen? Besoj shumë herë, edhe pse ju keni pasur merak se mos dalin në troturet e ngushta dhe shtyjnë njëri tjetrin në rrugët ku shoferët ngasin sikur janë në autostradë.
Sa herë ju ka ndodhur të shihni fëmijët tuaj të luajnë në park mes pemëve? Sa herë ju ka ndodhur të shihni fëmijët tuaj të luajnë duke gërmuar dheun në kërkim të krimbave, gurëve, etj? Besoj shumë herë.
E, pra, është e natyrshme që fëmijët të luajnë kudo dhe me çfarëdo. Imagjinata e tyre është e pashtershme.
A na duhet një kënd lojrash për fëmijët apo një qytet për fëmijët?
Këndet e lojrave janë një nga shërbimet që qytetet nëpër botë u ofrojnë sot fëmijëve të tyre. Por ama, qytetet ndryshojnë në mënyrën se si ua ofrojnë fëmijëve këto hapësira pët të luajtur. Për nga rëndësia e tyre për rolin që kanë në zhvillimin e fëmijëve, këndet e lojrave kanë qënë objekt i studimeve të shumta.
Zëra të ndryshëm në këtë fushë studimesh janë shprehur që këndet e lojrave, përveç qëllimit për të argëtuar fëmijët—sepse në fakt shumica e tyre janë pjesë e kulturës moderne të argëtimit në qytet dhe jo pjesë e një përpjekje që mundëson krijimtari dhe imagjinatë në lojrat e fëmijëve,—këndet e lojrave mund të kontribuojnë edhe në getoizimin e fëmijëve dhe izolimin e tyre nga të tjerët dhe shoqëria në përgjithësi.
Është e vërtetë që në shumicën e rasteve, shumë prindër e bëjnë këtë gjë, ku këndët e lojrave i shohin si mundësi për t’i lënë fëmijët diku, ndërkohë që ata pinë kafe me shokët e tyre, etj.
Në këtë kontekst më duket tërësisht e panevojshme që një hapësirë potencialisht e përshtatshme për fëmijët ashtu siç është, e gjelbër, ku ata mund të luajnë në mënyrën e tyre dukë vënë në punë imagjinatën e tyre, të kthehet në një kënd lojërash të komercializuar (meqënëse në të është planifikuar të ndërtohet një bar që do të jepet me konçesion nga bashkia), i cili qysh në thelbin e tij ka për qëllim të segregojë fëmijët nga prindërit, pra prindërit pijnë kafe ndërkohë që fëmijët “luajnë”.
Por, më e rëndësishmja është që kur flasim për ndërtimin e një parku lojrash te Liqeni mua më duket sikur praktikisht po u them fëmijëve të mi “Të dashur fëmijë, ky është qyteti ynë, qyteti i të rriturve, dhe në të nuk ka vend për ju, me përjashtim të këtij parku që po ndërtojmë te Liqeni. Aty ka ca rrëshqitëse, kolovajtëse, dhe fusha basketbolli. Aty mund të luani. Dhe që të shkoni aty duhet patjetër të shkoni me ne, sepse ne e kemi bërë pjesën tjetër të qytetit të rrezikshme dhe ju nuk mund të shkoni vetëm.”
Ka ardhur koha që “bërësit” e qytetit tim të fillojnë të mendojnë se si Tirana do të jetë i tëri një qytet për fëmijët.
Ja disa nga gjërat që na duhen në Tiranë për fëmijët:
Na duhen trotuare të gjera t’i shëtisim fëmijët me karroca kur janë bebe, pastaj t’i marrim për dore duke ngrënë akullore e shëtitur nëpër lagjet tona, ku ata të takojnë shokët rrugës për në shkollë ose për në dyqanin e bukës …
Na duhen korsi biçikletash ku fëmijët të ngasin biçkiletat …
Na duhen hapësira të gjelbërta ku të shëtisim me fëmijët, edhe kur s’jetojmë afër parkut të Liqenit …
Na duhen biblioteka nëpër lagje, ku të lexojmë me fëmijët tanë e me shokët e tyre …
Na duhet një muze për fëmijët …
Na duhen sheshe që ata të rrinë me ne e me të tjerë …
Na duhen pishina …
Na duhen kopshte komunitare …
Na duhen …
Lista është e gjatë. Nuk na duhet një kënd lojrash në qytet. Na duhet një qytet për fëmijët.