Kur u bëra nënë për herë të parë para disa vitesh u përpoqa të zgjoja instiktet e prindit, megjithëse në thelb nuk kisha asnjë. Supozohej të isha unë ekspertja e këtij fëmije të çuditshëm?! Të dija çfarë ai do, kur dhe sa?! A do ti pëlqeja unë atij?!
Pasi u bëra nënë për herë të dytë, kam mësuar t’i besoj instikteve të mia. Nuk më ka qëlluar të jem kaq e pasigurtë, deri në ndjesi paralizuese si prind, sa tani që koronavirusi i ri Covid-19 ka prekur vendin tim. Tanimë vë në diskutim çdo gjë.
Po, është një lehtësim i madh që fëmijët e shëndetshëm që marrin COVID-19 në përgjithësi kanë simptoma më të lehta. Por ne po shkelim në një territor të panjohur. A mjaftojnë instiktet dhe përvoja ime prindërore lidhur me menaxhimin e situatës përballë një sëmundje? Po në lidhje me faktin se pediatri i djemve të mi më ka informuar se ka shumë gjëra që ekspertët nuk i dinë ende në lidhje me këtë virus? A është normale të ndihesh e pasigurtë e njëkohësisht të jesh prindi më i mirë i mundshëm për fëmijën pavarësisht kaosit të krijuar? Ja disa parime të thjeshta për t’u ndjekur nga çdokush.
Është koha e distancimit social.
Është e vështirë të jesh prind në këtë periudhë. Në pjesën më të madhe të botës ashtu si në vendin tonë, janë pezulluar shkollat dhe është krijuar mundësia që prindërit që kanë fëmijë të mitur mund të punojnë nga shtëpia. Ajo çfarë po predikohet gjithnjë e më shumë është distancimi social për të kontrolluar disi përhapjen e virusit në popullsi.
Është provuar që ky distancim sjell efekte pozitive, siç është konstatuar në vende si Kina, ku lindi ky virus, apo Japonia, Korea e Jugut, Singapor dhe më së fundi Italia, e ndjekur gradualisht nga pothuaj të gjitha vendet e tjera të Evropës të cilat kanë marrë masa drastike me qëllim evitimin e grumbullimeve të mëdha të njere=ëzve deri në izolime në shtëpia.
Si nënë, është e pamundur të mos mendoj se ka fëmijë të cilët kanë sëmundje kronike dhe prindërit e tyre duhet të jenë vërtetë në stres këto kohë. Kështu distancimi social u shërben më së miri pikërisht individëve të cilët kanë sëmundje kronike të mushkërive apo sëmundje të tjera si diabeti të cilat e bëjnë shumë agresiv këtë virus.
Prandaj, në rast se fëmijët të cilët duan të dalin në ambjente të hapura për të luajtur, kërkojnë me insistim këtë gjë, duhet t’u shpjegojmë atyre me qetësi se është shumë e rëndësishme që për momentin të rrimë në shtëpi, pikërisht për të bërë një distancim social, i cili do t’u shërbejë të gjithëve.
Kjo nuk do të thotë të vetëizolohemi.
Në rast se ashkush prej nesh nuk ka udhëtuar 20 ditët e fundit në vendet e njohura që kanë raste të larta të Covid-19 si Italia dhe nuk ka simptoma të gripit dhe temperaturë, atëherë nuk është e nevojshme vetëizolimi. Të ndenjurit në familje me fëmijët është me shumë rëndësi, të flisni me ta mbi çfarë po ndodh, duke i pyetur mbi ndjesitë dhe frikën që mund të kenë. Duke biseduar, gjërat bëhen më të kuptueshme dhe për ta. Gjithashtu kujtohuni ti shfrytëzoni më së miri këto ditë. Rrallë ndodh të kemi kaq shumë kohë të lirë në shtëpi me fëmijët. Luani sa më shumë me ta.
Mos harroni ti shpjegoni fëmijëve gjërat e nevojshme elementare.
E di që është thënë shpesh, e megjtihatë asnjëherë nuk është e mjaftueshme! Larja e shpeshtë dhe e duhur e duarve, për 20 sekonda me ujë dhe sapun është shumë e rëndësishme, kujtojani këtë vazhdimisht fëmijëve. Mësojini ata të mos prekin fytyrën me duar dhe nëse kolliten ta bëjnë atë duke mbuluar gojën me pjesën e parakrahut dhe jo me duar.
Çfarë të bëj në rast se fëmija im ka kollë.
Mjekët shpjegojnë se një fëmijë mund të marrë deri në mesatarisht 10 viruse të frymëmarrjes gjatë sezonit të gripit apo ftohjeve. Kështu që mos u alarmoni, vëreni me kujdes shenjat që shfaq fëmija dhe kontrollojini vazhdimisht temperaturën.
Kontaktoni menjëherë pediatrin tuaj në rast se fëmija ka shenja të gripit dhe shpjegojani të gjitha simptomat.
Mos harroni se të ushqyerit është një faktor i rëndësishëm. Ushqejini fëmijët me supëra dhe perime të ndryshme, të cilat janë të pasura në vitamina dhe antioksidantë. Frutat janë po ashtu mjaft të rëndësishme në regjimin ushqimor të një fëmije dhe mos harroni t’ja jepni ato ndërmjet vakteve vazhdimisht. Një faktor tjetër i rëndësishëm është hidratimi. Ofrojini fëmijëve vazhdimisht ujë pasi i mban ata të hidratuar.
Dhe mos harroni, merreni me qetësi. Të shpresojmë se kjo situatë do të përmirësohet sa më shpejt!