Luciano Benettonit, industrialist dhe financier italian, iu dha titulli honorifik Doktor Honoris Causa nga Akademia e Arteve, për veprimtaritë e tij promovuese të artistëve bashkëkohore në botë, ndër të cilët edhe 163 artistë shqiptarë.
Benettoni është krijuesi i kompanisë së njohur Benetton, i cili duke filluar nga prodhimi i bluzave ka ndërtuar një perandori financiare. Ai është ndër novatorët më të medhenj të biznesit dhe komunikimit në dekadat e fundit.
Fushatat e veçanta publicitare, rrjeti i dyqaneve, garat e Formula 1 me Briatoren dhe Shumaker, një slogan me shumë fat “United Colours of Benetton” i mbushur me kuptime politike, në pak vjet krijuan një kompani globale, dyqanet e të cilës janë kudo, duke ofruar modele rinore me ngjyra të gëzueshme dhe produkte më cilësi e çmime relativisht të ulta.
Më vonë, ai u shtri në fusha të tjera, duke blerë e investuar në kompani që ndërtojnë e menaxhojnë autostrada, aeroporte, kompani të mëdha bujqësore në Amerikën e Jugut, si dhe aksione në disa kompani të mëdha globale.
Grupi Benetton është i pranishëm me impiante prodhimi në shumë vende të Europës qendrore si Hungaria, Kroacia, Sllovakia, Tunizia dhe Portugalia. Por ai nuk ka investuar asnjëherë në Shqipëri.
Pyetjes së exit.al se çfarë i duhet dhe çfarë i mungon Shqipërisë për të mirëpritur kompanitë e tij, ai ju përgjigj se:
“Shqipëria ka gjithçka për të tërhequr investitorë europian, gati në qendër të Europës, pra shumë afër, në lidhje me vendet që e rrethojnë, ka kushte të mira, ka edhe kontakte, besoj se po rritet në prodhim, por Azia vazhdon të jetë zot në këtë fushë, Azia ka një dimesion shumë konkurues.”