Një tjetër aksion propagandistik i policisë për sekuestrimin e makinave të luksit

Një tjetër aksion propagandistik i policisë për sekuestrimin e makinave të luksit

Policia prej disa ditësh ka kontrolluar dhe bllokuar 140 makina luksoze dhe të blinduara, si dhe ka ndaluar pronarët e makinave që rezultojnë me precedentë kriminalë.

Por kjo nuk është hera e parë që policia ndërmerr këto aksione. Prej vitit 2014 deri më sot, policia ka sekuestruar çdo vit qindra makina luksi me aksione pompoze dhe të mediatizuara, por që pas disa ditësh, në shumicën e rasteve, automjetet janë lënë sërish të lira.

Më 24 janar 2014, policia kontrolloi 250 makina luksi dhe bllokoi 80 prej tyre. Aksioni i policisë u krye për “rritjen e sigurisë publike, parandalimin e veprimtarisë kriminale, parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme”.

Në prill 2016, policia, nën operacionin e koduar “LUX”, bllokoi 19 makina luksoze, prodhime të viteve të fundit.

Gjatë vitit 2017, policia zhvilloi dy aksione “Vjeshtë 2017” dhe “Summer 2017”. Operacioni “Vjeshtë 2017” u zhvillua pasi mjeti i drejtuesit të policisë Elbasan u qëllua me armë nga disa persona në një mjet të blinduar. Gjatë këtij aksioni u sekuestruan 22 mjete, por, sipas policisë vetëm 3 prej tyre vazhdojnë të qendrojnë të bllokuara për mungesë dokumentacioni. Gjatë operacionit “Summer 2017” u sekuestruan 12 makina luksoze, 5 motomjete dhe u arrestuan 17 qytetarë.

Më 10 shtator 2018, forcat RENEA bllokuan 6 makina të blinduara, vetëm në Shkodër, me qëllim luftën ndaj grupeve kriminale.

Madje qeveria, për trajtimin e makinave luksoze të konfiskuara miratoi në maj të vitit 2019, vendimin mbi përdorimin, ruajtjen dhe shitjen e makinave të sekuestruara. Sipas vendimit, nëse makinat “nuk rezultojnë në kërkim, u nënshtrohen procedurave të shitjes me ankand publik. Në rast se makinat rezultojnë në kërkim, vijojnë gjendje pranë Rezervave të Shtetit për procedura të mëtejshme”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>