
Kryeministri Rama i kishte të gjitha mundësitë të vërtetonte akuzat e bëra në drejtim të Elvis Rroshit, ish-kryetarit me të shkuar kriminale të Kavajës. Por ai nuk zgjodhi të vërtetonte asgjë, për të mos thënë, se ai e dinte të shkuarën e Zotit Rroshi dhe nuk kishte asnjë problem me të, sikur nuk ka patur me një numër kriminelësh me të cilët ai është shoqëruar e ka bashkëpunuar në politikë dhe biznes gjatë pothuasje dy dekadash.
Përkundrazi, Kryeministri zgjodhi që, në mënyrë djallëzore, të bënte batuta dhe të tallej me akuzat e opzitës për t’i zbehur ato e për t’ju hequr rëndësinë dhe seriozitetin, duke mbështetur kështu një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
Videoja që po sjellim tregon Kryeministrin duke bërë gallatë vulgare me këtë çështje tejet serioze—sjellje e paimagjinueshme për çdo udhëheqës demokratik perëndimor. Banaliteti i qëllimshëm rrugëçaror i Kryeministrit duartrokitet nga socialistët e thjeshtë në sallë, një pjesë e të cilëve shkrihen duke qeshur me batutat e kryetarit të tyre.
Njerëzit duken të patrazuar për të shkuarën e Elvis Rroshit. Duken të patrazuar nga mediokriteti dhe injoranca e tij. Pikërisht, kjo mungesë ndjeshmërie morale dhe vetëdije politike e njerëzve është burimi i autokracisë së Kryeministrit që e lejon atë të jetë i papërgjegjshëm.
Me këta njerëz, sikurse e ka deklaruar një tjetër socialist i lartë “mund të tallësh bythën” gjithë ditën.