Njeriu i mirë Ilir Vrenozi

Nga Artan Rama
Njeriu i mirë Ilir Vrenozi

Ilir Vrenozi është komediani më i talentuar në Shqipëri. Është i jashtëzakonshëm ky njeri i thjeshtë, në moshë mesatare, banor i një qyteti të veçantë në juglindje të vendit, i Korçës.

Ishte një ditë fare e zakonshme kur papritur përmes celularit të tij ai regjistroi një video të thjeshtë dhe e publikoi në Rrjet për miqtë e tij. Si një surprizë ngazëlluese arriti me mijëra shikime, qysh në orët e para.

Sot, janë me dhjetëra video që numërohen në repertorin e këtij artisti amator, përmes të cilave ai proteston kundër qeverisë. Për çdo ditë, videot e Ilir Vrenozit nuk rreshtin, duke siguruar qindra ndjekës të rinj dhe mijëra reagime nga shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Ilir Vrenozi është babai i dy fëmijëve të mrekullueshëm, bashkëshorti dhe familjari shembullor që e do familjen, prindërit dhe biblotekën e qytetit.

Ilir Vrenozi është ndihmësi i vegjëlisë, është mbrojësi i nënave dhe i motrave. Mbrojtësi i fëmijëve, i mbledhësve të mbeturinave dhe i të pastrehëve të qytetit.

Ilir Vrenozi tallet me kryeministrin që është shumë i gjatë. Tallet me madhështinë e tij qesharake. Denoncon mashtrimet dhe politikat antipopullore të politikanëve e të grabitësve me kollaro.

Por fati i tij nuk ka qënë kurrë më ironik se me vetë atë. Ilir Vrenozi është një i papunë!

Brenda në dhomën e tij modeste, ai interpreton natyrshëm, përmes frymëzimit dhe dhimbjes që ka për njerëzit. Mesazhet e tij janë të thjeshta e të kuptueshme. Personazhet e tij: nevojtarë e shtresa të lëna mënjanë. Premiera ndriçohet nga një abazhur i vogël, i mjaftueshëm për të lëshuar një dritë të zbehtë në celular. Ndonëse muret e “teatrit të tij komedisë” janë të zhveshura, zëri që jehon në dhomën e ftohtë mbetet përsëri i ngrohtë.

Ai nuk mban kollaro, as papion dhe deri tani nuk ka realizuar ndonjë spot komercial. Në ndryshim, ai mbath shpesh tuta sportive, shapka shtëpie dhe hedh rreth qafës një shall të kuq e të zi, simbol të ekipit të tij të zemrës Skënderbeu. Gjithçka buron prej shpirtit dhe zemrës së butë. Ai është i drejtpërdrejtë dhe ndjek mënyra popullore komunikimi. Këtu në bulevardin zyrtar në kryeqytet, ku hipokrizia dhe hajdutëria shëtisin krah përkrah, mënyrat e tij duken disi të papërshtatshme, banale apo vulgare.

Por protesta e tij është e mbushur me patos! Ilir Vrenozi është njeriu i ndershëm që nuk shtiret!

Dyfytyrësia! Kjo fëlliqësirë mbizotëruese që ka hedhur supeve një vello mashtrimi zbulohet prej celularit të Ilir Vrenozit. Ai nuk e pretendon të vërtetën, por e tregon atë. Nuk përfiton prej saj, nuk e përdor, por e mbron.

Por Ilir Vrenozi është ndoshta dhe komediani më fatkeq në Shqipëri! Sepse talenti i tij i rrethuar prej mjerimit dhe varfërisë shpirtërore që ka pushtuar tërë shoqërinë nuk arrin të shihet nga producentët e shumtë, por pa kurajo, të kryeqytetit luksoz dhe elitar

Sepse protesta nuk shihet me sy të mirë në Tiranë, ndaj dhe infrastruktura mediatike nuk mbërrin në Korçë…

Sepse liria ka një kosto të lartë për liberatorin! Dhe akoma më keq: në pamundësi për ta mbështetur, kërkojnë, qëllimisht, ta marxhinalizojnë!

Por ndonëse pa makiazh, pa mbështetës financiarë, pa kameramanë e producentë, i vetëm, me celularin e tij, në dhomën modeste, atje në qytetin e ftohtë, ai është i rrethuar prej ndjekësve të tij!

Përmes videove të shkurtra në një shfaqje të jashtëzakonshme me një personazh, pa bileta, ai shuan etjen dhe zemërimin e një rrethi ndjekësish gjithnjë në rritje.

Rrëfimet e tij të dimrit, mbushin zemrat dhe shpirtrat e trazuara plot shpresë e gëzim. Përmes artit të tij, ai dërgon mezashet e mungura prej sallave plot shkëlqim e të rreme të komedive që rëndojnë nga shpenzimet, por dhe nga mashtrimet.

Ilir Vrenozi, një artist amator i varfër atje në Korçën e ftohtë, nga dhoma e tij modeste ia ka dalë mbanë të bëjë për vete mijëra njerëz që e ndjekin atë çdo ditë në videot e prodhuara pa asnjë mbështetje.

Në kuptimin njerëzor, Ilir Vrenozi ia ka dalë më të vertetë! Ai ka fituar zemrat e atyre të cilëve u drejtohet!

Dhe ashtu si objektivi i tij, “i gjati”, që thotë se “vende pune ka, por nuk ka profesionistë”, mesazhi që njeriu i mirë, Ilir Vrenozi përcjell dëshmon thelbësisht të kundërtën: profesionistë ka, por nuk ka punë!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>