Njeriu me dinjitet ka mbërthyer kusarët e Teatrit

Nga Arjan Balla
Njeriu me dinjitet ka mbërthyer kusarët e Teatrit

Në shpalosjen e fundit të kërcënimeve dhe propagandës së tij, Kryeministri Rama tha se Teatri do të prishet, pasi është i pavlerë dhe nuk mund të restaurohet. Ai shtoi se asnjë centimetër i teatrit nuk do t’i jepet privatit. Ky i fundit do të marrë vetëm “tokë pa lidhje” dhe që “ka vetëm ferra”.

Tokë “pa lidhje” dhe vetëm “me ferra” mu në qendër të kryeqytetit.

Më tej, në rolet e një historiani arti, urbanisti, arkitekti dhe historiani të specializuar për fashizmin, Kryeministri Rama e leqendisi Teatrin Kombëtar, aq sa mund ta ketë bërë me turp ndokënd që, për një çast, mund të ketë menduar se ndoshta është më mirë të mos prishet ajo godinë.

Ndryshe nga portretizimi që i bën Kryeministri Rama dhe mercenarët e tij, kjo nuk është një betejë mes historianësh të artit pro dhe kundër vlerave të Teatrit. As midis urbanistësh të shkollave të ndryshme të zhvillimit të qyteteve. Ajo nuk është një betejë mes arkitektëve përçmues dhe atyre lëvdues të vlerave të godinës së Teatrit. Përplasja nuk vë përballë në publik as numrat e artistëve që radhiten krah qeverisë dhe atyre që kërkojnë të mbrojnë Teatrin.

Citatet e artistëve të gjallë për Teatrin dhe testamentet e të tjerëve të vdekur, që Kryeministri Rama i nxjerr përditë nga një, as i shtojnë as i heqin gjë thelbit të kësaj çështjeje. Shembja ose ruajtja e Teatrit nuk është një betejë mes artistësh të mëdhenj, absolutë, e ca të tjerëve me përmasa relative. As midis amatorëve të rregullt të teatrit dhe atyre që nuk kanë shkelur kurrë në të e prapë protestojnë kundër shembjes.

Teatri nuk është as fushëbeteja e radhës për përplasjen e radhës, si gjithnjë titanike (u mbars mali e polli një mi!) mes opozitës dhe pozitës.

Përplasja e sotme është së pari një betejë e të paktëve njerëz të pafuqishëm politikisht e kriminalisht, por të fortë në dinjitet, të cilët e ndiejnë në kockë tehun e nëpërkëmbjes dhe përçmimit, padrejtësisë e grabitjes së pronës publike, kundër një pakice zhurmëmadhe, zulmëmadhe, mbytëse e vrasëse me korrupsionin, krimin dhe autoritarizmin e saj gjithnjë e në rritje.

Kjo përplasje e ka vënë pozitën në pozitë. Të pushtetshmit politikisht, kriminalisht e mediatikisht qëndrojnë të trembur e përpiqen të duken të fortë përballë dinjitetit të pak qytetarëve, të cilët kanë gërryer ndërgjegjen e qindra mijëra të tjerëve.

Këta të pushtetshëm po e ndiejnë se rezistenca e dinjitetit të këtyre pak vetëve, – më e gjata kundër pushtetit në këto 30 vjet, e përditshme, aktive, e thjeshtë dhe e vërtetë, e papritur për një shoqëri si jona, – po ia gërryen dheun nën këmbët me çizme të shtrenjta këtyre kusarëve me jetesë përrallore në shpellat e bunkerizuara të pasurive të grabitura nga qytetarët.

Kriminelëve në politikë, në media dhe në art u intereson të flasin për domosdoshmërinë e një teatri të ri pikërisht aty ku ndodhet i tanishmi, për domosdoshmërinë e zhvillimit urban të kryeqytetit, për pandalshmërinë e zhvillimit të “metropolit” shqiptar (paçka se me një pol të vetëm mu te teatri), për historinë e teatrit, për historinë e arkitekturës fashiste dhe, për ta mbyllur me tallje, për brekë aktoresh të nëpërdhëmbura gojës së Kryeministrit Rama vite më parë.

E rëndësishme është të flitet, dita-ditës nga një këndvështrim i ri, por kurrsesi për faktin e thjeshtë: Nën drejtimin e Kryeministrit Rama qeveria po grabit, – kundër ligjit, si në çdo grabitje, – pronën e qytetarëve, dhe aty po ndërton gjashtë kulla në bashkëpunim me një grup kusarësh në dukje të sofistikuar. E pazakontë është vetëm shkalla e grabitjes, fakti se bëhet ditën për diell, si dhe brutaliteti i kusarëve.

Artistët absolutë shprehen se duhet patjetër teatër i ri, patjetër aty ku është ky i vjetri. Ata thonë se këta artistët relativë të politizuar po protestojnë për një teatër të amortizuar, të shëmtuar dhe të papërshtatshëm. Plot të ashtuquajtur gazetarë, opinionistë, analistë, intelektualë e anëtarë shoqërie civile mbajnë të njëjtin refren me variacione tonaliteti.

Është thjesht e pështirë se si këta asnjëherë nuk ia dalin të belbëzojnë ndonjë mendim të dinjitetshëm, ku të shprehin ndonjë dyshim të arsyeshëm se mos qeveria mund të mos i ketë bërë aq mirë këto planet e procedurat për zëvendësimin e teatrit.

A nuk ua vret vallë syrin këtyre mercenarëve, që idiotësisht pretendojnë se mendojnë paanshmërisht dhe jashtë politikes, se qeveria bëri një ligj të posaçëm për t’ia dhënë tokën e teatrit kompanisë Fusha shpk? A nuk ngjall dyshime ky fakt se çoç mund të ketë pasur ndonjë parregullsi në këtë mes? A nuk u ngjallen dyshime në mendjet e tyre të paanshme e kreative se dikush mund të favorizohet këtu e diç mund të vidhet? A nuk është e arsyeshme të ndalë pak njeriu e të mendojë se përse kjo kompani shfaqet kaq shpesh fituese tenderash? Se pse qeveria, nën trysninë e BE-së, e rishikoi ligjin, pa cenuar sigurinë se tenderin do ta fitojë sërish Fusha shpk? Se pse qeveria është në yrysh e nuk e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Kryeministri Rama e ka provuar me hu e me litar t’ua mbysë zërin protestuesve për Teatrin, përkatësisht që nga huri i policisë së shtetit dhe asaj private (pra, të policisë së shtetit të tij privat), deri te litari i brekëve të një aktoreje që nuk jeton më.

Në konferencën e fundit për shtyp, ai ua plasi fytyrës edhe njëherë shqiptarëve se nuk mund të presë Gjykatën Kushtetuese, pasi i trembet ndonjë tërmeti, që mund ta shembë godinën.

Pak sekonda më pas, tha se përpara se të shkarkojë Presidentin Meta, po pret mendimin e panevojshëm të Komisionit të Venecias.

Shfaqja teatrale për shkarkimin e presidentin duhet të vazhdojë, njëkohësisht me shfaqje të tjera. Kryeministri Rama do të presë mendimin e një institucioni të huaj, që ligjërisht nuk ka asnjë zë në vendimin e shumicës parlamentare të kontrolluar prej tij për ta shkarkuar presidentin.

Shembja e Teatrit ama nuk mund të presë vendimin (jo mendimin!) e institutionit më të lartë të drejtësisë në Shqipëri. Rama nuk pret. Fusha nuk pret. Krimi nuk pret. Korrupsioni nuk pret.

Këtyre kusarëve mund t’u bëjë ballë vetëm dinjiteti i njeriut, pasi në çfarëdo fushëbeteje tjetër ata janë më të fuqishëm. Qeverisja, parlamenti, drejtësia, media dhe krimi janë në duart e tyre. Teatrin e ka mbajtur në këmbë vetëm dinjiteti i pak njerëzve, të cilët protestojnë përditë nën Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Dinjiteti, qoftë edhe i një njeriu të vetëm, do t’ua përsheshë turinjtë këtyre kusarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>