Përgjimet nga dosjet 339 dhe 184 kanë treguar me detaje se si drejtues të lartë të PS-së frikësuan zyrtarët publikë që të votonin për PS-në gjatë zgjedhjeve të viteve 2016 dhe 2017.
Kemi dëgjuar në regjistrime kreun e bandës kriminale Astrit Avdylaj duke i thënë drejtorit të ujësjellësi të Durrësit:
“Do t’i thërrasë [punonjësit tuaj] dhe do t’i shkund. Ose ata të mbajnë vendin e punës dhe votojnë për ne, ose të shkojnë në shtëpi”.
Po ashtu dëgjuam Arben Keshin, atëherë drejtor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, teksa i thotë Drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Dibër Drini Gjeçi:
“Merri në telefon një nga një. Ditën e hënë keni shku për lesh të gjithë. Gjithë drejtorat në telefon, thuaji ‘raportoni për kë keni marrë në telefon’ se janë tu fjet gjumë. Gra burra, ca të jenë. Do ja kujtoni një më një të gjithë mësuesve sipas listës që keni pru. Nëse duan që ditën e hënë të jenë në punë. Nëse nuk dun, në p**** të s**** se ja kam q* r***.”
Kemi dëgjuar dhe ish-deputetin socialist, tani kandidat për bashkinë Lezhë, Pjerin Ndreu, teksa urdhëronte Gjeçin:
“Bëj një telefon këtij Reshat Elezit, drejtorit të Reçit. Drejtorit të shkollës thuaji të deklarojë votën hapur se ato sms-të që çon poshtë e përpjetë nuk janë shumë të këndshme. Thuaji të deklarojë votën hapur që e ke për PS-në, ndryshe të hënën tregoja se ku fluturon.”
Këto prova të qarta për kërcënimin e votuesve nuk i kanë mjaftuar prokurorisë për të ngritur akuza ndaj zyrtarëve të përfshirë në to, megjithëse Neni 328/a dhe neni neni 329 i Kodit Penal i ndalon nëpunësit publikë të përfshihen në aktivitete zgjedhore, si për shembull kërcënimi i votuesve.
Megjithatë, në ditët e fundit në media janë raportuar raste të shumta që qeveria socialiste po bën presion ndaj qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e 30 qershorit.
Duke qenë se zgjedhjet janë anuluar zyrtarisht nga Presidenti Meta, Partia Socialiste, si mënyrë për të legjitimuar zgjedhjet, po tenton me çdo mënyrë të sigurojë që të ketë pjesëmarrje të lartë qytetarësh që votojnë kandidatët socialistë të vetëm në garë.
Në veçanti, një dokument që është publikuar shpesh është një “Formular Patronazhi Personal”, që supozohet se po përdoret nga Partia Socialiste për të frikësuar qytetarët për të marrë pjesë në votime duke i regjistruar të dhënat e tyre personale, në shkelje të nenit 329 të Kodit Penal.
Patronazhuesit mund të jenë kryetarët e OS-ve, drejtuesit e strukturave të tjera të PS-së (të organizatave rinore, të grave, etj), drejtuesit e institucioneve, kordinatorët elektoralë, persona influent në zonë, apo persona të spikatur që kanë dëshirë dhe energji të bëjnë patronazh personal.
Është e papranueshme që kushdo, qoftë ai zyrtar i partisë, nëpunës publik ose qytetari i zakonshëm, të bëhet garanci dhe të mbajë përgjegjësi për sjelljen votuese të dikujt tjetër. Përveç kësaj, është e ndaluar që “drejtorët e institucioneve” të përfshihen në mënyrë aktive në fushatë zgjedhore.
Formulari e thekson se i gjithë informacioni në të duhet të jetë i vërtetë dhe se qendra e votimit për çdo person në formular duhet plotësuar “për të shmangur deklarimet fiktive”. Po ashtu, duhet shënuar në formular dhe vendi i takimit me këtë votues, sërish “për të shmangur deklarimet fiktive”.
Ky udhëzim jo vetëm tregon se ata që marrin formularin duhet ta plotësojnë atë me të dhëna reale (dhe jo “fiktive”), por se gjithashtu Partia Socialiste duket se ka një sistem mbikëqyrjeje për të kontrolluar veprimet e atyre që janë në “patronazhin” e saj. Ky është një zhvillim alarmant që i afrohet “votës së lirë” për qytetarët shqiptarë që prej diktaturës komuniste.
Vetëm ky formular duhet të jetë provë e mjaftueshme për Prokurorinë që të fillojë një hetim për kërcënimin e votuesve dhe shpërdorimin e burimeve publike në fushatën elektorale të vitit 2019, dhe po ashtu duhet të jetë këmbanë alarmi për BE-në dhe OSBE-ODIHR-in.