Nuk ka as vendim as datë për hapjen e negociatave—vendimi do të merret në qershor 2019

Nga Alba Mborja
Nuk ka as vendim as datë për hapjen e negociatave—vendimi do të merret në qershor 2019

BE vendosi ta shtyjë edhe për një vit vendimin për hapjen e negociatave, i cili tani do të rishqyrtohet në qershor 2019. Sërish Shqipëria ndeshet me një sërë kushtesh që duhet të plotësojë për të marrë një vendim pozitiv në Këshillin Europian në qershor 2019.

Por për të mos dekurajuar këto dy vende, BE zgjodhi një gjuhë të zbutur në tekstin e deklaratës së Këshillit, për t’u dhënë qytetarëve të tyre mesazhin se, pavarësisht mos hapjes së negociatave tani, rruga mbetet e hapur që negociatat të hapen në qershor të vitit 2019.

Sikurse ironizonte Politico Europe, në një artikull të djeshëm, për Maqedoninë dhe Shqipërinë rruga është e hapur, por dera është e mbyllur, të paktën deri në vitin 2019.

Sipas Politico, shumica e vendeve anëtare, në mbledhjen e djeshme të Ministrave të Jashtëm argumentuan në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë, por ato u kundërshtuan nga Franca, Hollanda dhe Danimarka, të cilat deklaruan se do të ushtronin të drejtën e vetos për të bllokuar vendimin për hapjen e negociatave. Duhet theksuar se, të paktën, qeveria hollandeze ishte e detyruar të votonte kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë për shkak të vendimit të parlamentit vendas.

Për të shmangur situatën e një vote formale e cila do të mohonte në mënyrë formale hapjen e negociatave, Këshilli ka vendosur që vendimin për hapjen apo jo të negociatave ta shtyjë për ta rishqyrtuar pas një viti, në qershor të vitit 2019.

Si kompromis mes dy qëndrimeve, Këshilli ka vendos që në tekstin e deklaratës përfundimtare të përdorë një gjuhë që shmang cilësimin direkt të refuzimit dhe që i referohet mundësisë së hapjes së negociatave në qershor 2019 nëse Shqipëria dhe Maqedonia do të plotësonin një sërë kushtesh. Kjo ide u përcoll përmes cilësimit se Këshilli “përcaktoi rrugën që do ndiqet drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019”.

Por përtej kësaj fraze të paqartë dhe dykuptimshme, çdo cilësim tjetër në deklaratë është i qartë: nuk ka hapje të negociatave tani dhe nuk ka asnjë garanci që vendimi i qershorit 2019 do të jetë pozitiv. Sërish, Maqedonia dhe Shqipëria duhet të plotësojnë një sërë kushtesh në mënyrë që në vitin 2019 të mund të vendoset pozitivisht.

Shqipëria do të duhet të kalojë sërish nëpër të njejtën procedurë: duhet të plotësojë kushtet dhe duhet të marrë pëlqimin e një sërë institucioneve.

Këshilli përcakton këta hapa për të mbërritur tek vendimi i qershorit 2019:

  • Shqipëria duhet të plotësojë një sërë kushtesh, të reja dhe të vjetra, që Këshilli Europian i ka shprehur qartësisht (të shpjeguara më poshtë).
  • Komisioni Europian duhet të vlerësojë me anë të një raporti të posaçëm përparimin në përmbushjen e këtyre kushteve.
  • Duhet të përmbushen procedurat parlamentare të vendeve anëtare që e kanë një detyrim të tillë, pra duhet të japë pëlqimin paraprak Bundestagu gjerman dhe parlamenti hollandez.
  • Në varësi të sa më sipër, Këshilli Europian duhet të konfirmojë hapjen ose jo të negociatave në samitin e tij të qershorit 2019.
  • Nëse të gjitha vendimet e mësipërme janë pozitive, takimi i parë mes palëve do të bëhet në fund të vitit 2019.

Në mënyrë të përmbledhur: a) Shqipëria duhet të plotësojë një sërë kushtesh që i janë vënë; b) Bundestagu, parlamenti hollandez dhe Këshilli Europian duhet të shqyrtojnë dhe vendosin sërish hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, në varësi të përmbushjes së kushteve.

Kusht i ri, i cili me sa duket është bërë për të kënaqur Francën, është ulja e numrit të azilkërkuesve të paligjshëm shqiptarë në Evropë, përparim të cilin Këshilli ka urdhëruar Komisionin për ta monitoruar.

Përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve nga një kusht i shprehur në përgjithësi për detyrimet e Shqipërisë është bërë kusht kryesor që duhet të konsiderohet në hapjen ose jo të negociatave.

Kusht i ritheksuar në mënyrë më të qartë dhe shtrënguese është reforma zgjedhore, për të cilën deklarata zyrtare e Këshillit shprehet se “Këshilli i lë detyrë të veçantë Shqipërisë hartimin dhe zbatimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe zbatimin e saj.”

Këshilli ka ritheksuar kushtet e luftës kundër drogës dhe krimit të organizuar, kushtin e luftës kundër korrupsionit, por ka theksuar në mënyrë të qartë se kjo luftë duhet të japë rezultate të prekshme në “hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të zyrtarëve të niveleve më të larta”.

Në lidhje me thellimin e reformës në drejtësi, Këshilli ka kërkuar shprehimisht krijimin e SPAK dhe të Byrosë së Hetimit, funksionimin e gjykatës kushtetuese, si dhe ka kërkuar përparimin e vetingut. Për herë të parë Këshilli thekson se Shqipëria duhet të ndjekë penalisht të gjithë prokurorët dhe gjykatësit që nuk kalojnë vetingun, duke i dhënë kështu një efekt shumë më të fuqishëm procesit të vetingut.

Këshilli gjithashtu ka theksuar përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtës së pronës.

Është e qartë se në një mënyrë kushtet e vendosura nga Këshilli janë më të shumta dhe më strikte se të mëparshmet dhe të shprehura në mënyrë më të qartë, më konkrete dhe më të matshme.

Kjo do të thotë se Shqipërisë ju mohua hapja e negociatave, ajo duhet të presë edhe një vit tjetër për të patur mundësinë që të rikonsiderohet sërish, dhe ndërkohë duhet të plotësojë një sërë kushtesh të vështira në një kohë të shkurtër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>