Opozita, PD dhe LSI, mund të fitojë pushtetin vetëm nëse qendron e palëkundur. Kështu u shpreh politologu Adri Nurrellari i ftuar në emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews.
Këtë tezë Nurrellari e mbështeti tek shembulli i Malit të Zi:
“Mali i Zi ka pasur një qeveri të fortë për 30 vjet. Opozita, në zgjedhjet e shkuara u ndan në 3 lista. Parti e parë sërish doli Gjukanovici, por opozita duke ndenjur e bashkuar arriti të merrte pushtetin”.
Nurrellari mendon që e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri, sepse opozita jonë ka marrë vendime të forta që e kanë “çimentuar dhe ngjizur më fort”.
Ndryshimet e njëanshme të kodit zgjedhor për heqjen e koalicioneve zgjedhore në 31 korrik 2020 kanë dëmtuar opozitën.
“Ndryshimi i sistemit zgjedhor pak para zgjedhjeve ka kosto për opozitën, ky ndryshim i bëftë e dëmton sido që ta bëj taktikën opozita, me një listë ose me dy lista”, komentoi politologu Adri Nurrellari.
Ai theksoi se “qeveria e mori këtë vendim të njëanshëm” për interes të saj dhe për të “futur opozitën në një konfuzion të brendshëm”.
PD dhe LSI ende nuk kanë vendosur nëse do të kandidojnë në një listë të përbashkët apo të ndarë në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndonëse PD ka arritur marrëveshje me disa prej aleatëve të saj si LZHK, PAA, PDIU dhe PDK për të kandiduar bashkë në listat e saj, ajo nuk ka vendosur ende në lidhje me PR dhe LSI.
Me ndryshimet e reja, nuk lejohet më kandidimi me lista të veçanta i partive në koalicione. Ato duhet të vendosin kandidatët e tyre në një listë të përbashkët.