Diçka paradoksale duket se u ka shpëtuar analizave të gazetarëve dhe komentuesve publikë që rreshtohen në dy anë që përballen me njëra-tjetrën, pro dhe kundra qeverisë.
Në pohimet e gjatë që Fatmir Xhafaj lëshoi në një dalje për mediat pas dorëzimit të pretenduar vëllait të tij tek autoritetet italiane, ai dha këto mesazhe:
– Nga neni i ndryshuar për ekstradimin nuk përfiton vëllai im, sepse ai nuk është dënuar në mungesë, por është mbrotjur nga një avokat i emëruar prej tij.
– Vëllai im Agron Xhafaj atëherë ishte i ri, vetëm 22 vjeç, dhe tani pas 16 vitesh po thirret të paguajë për diçka që e ka bërë kur ishte një tjetër Agron.
– Unë nuk jam përgjegjës për atë çfarë ka bërë im vëlla 16 vjet më parë.
– Vëllai im nuk ka shkelur asnjëherë ligjet shqiptare, pra është një qytetar i rregullt.
– Unë nuk kam bërë asgjë për ta mbrojtur, sepse nuk kishte nevojë—italianët asnjëherë nuk kanë sjellë kërkesë për ekstradim.
– Vëllai im iku në Itali me vullnet të lirë, u sakrifikua për të më shmangur problemet mua.
– Në Itali duhet të vuaj dënimin, por në Shqipëri dënimi është parashkruar dhe nuk do të bënte asnjë ditë të vetme burg.
– Vëllai im nuk është më narkotrafikant dhe video përgjimi i PD-së është i rremë.
– Ligji antimafia nuk zbatohte tek vëllai im sepse ai nuk ka bërë asgjë në Shqipëri.
– Unë jam me integritet dhe i palëkundshëm dhe do të luftoj krimin në Shqipëri pa kursyer askënd.
Pra, një rrëfim me zemër të hapur për vëllain që në rrugët e kurbetit ra viktimë e shoqërisë së keqe, por u rehabilitua vetë në Shqipëri, pasi u përjashtua nga Italia, e cila nuk e shpalli asnjëherë në kërkim. Dhe sot pas 16 vitesh u dorëzua tek autoritete italiane, pa pasur nevojë, vetëm për të ndihmuar të vëllain që t’i shërbejë atdheut duke mbetur sërish protagonisti i luftës së Shqipërisë kundër trafikut të drogës.
Dhe të mendosh se gati ia kishte dalë, sepse sipas ligjeve tona, tashmë, kishte arritur kohën e parashkrimit, kështu që në fakt i kishte larë të gjitha mëkatet e rinisë.
Ajo çfarë lexohet në rrëfimin e Fatmir Xhafajt dhe në mbrojtjen me shkrim që i bëjnë mbështetësit e tij, është një botë e ndarë qartazi në dysh—nga një anë atdheu, Shqipëria, porti i sigurt, në të cilin të gjithë bijtë e saj kanë të drejtën të gjejnë strehën e sigurt, të mbrojtur dhe të ruajtur nga familja e madhe shqiptare; dhe nga ana tjetër pjesa tjetër e botës, vendi ku emigruan shqiptarët të shtyrë nga varfëria në kërkim të pasurisë dhe fatit, e ku rregullat janë të ndryshme, por është si një lojë, nëse nuk të kapin, fiton ti, dhe mund të kthehesh në Shqipëri si një e drejtë për të shijuar frutet e rrezikut që t’u desh të përballesh.
Ajo çfarë bën, apo ke bërë atje—shpërndarësin e drogës, trafikantin e drogës dhe të femrave, hajdutin e vilave, vrasësin, apo çdo gjë tjetër—është një tjetër histori, dhe nuk ka rëndësi këtu, prandaj është e natyrshme që duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë nga drejtësia “e padrejtë” e Evropës, duke shmangur sa të mundemi ekstradimet, të paktën për ato procese në tokë të huaj ku “tanët” janë dënuar në mungesë sepse kanë arritur të kthehen e strehohen në Shqipëri.
Kjo është detyra ekskluzive morale e qeverisë dhe e ministrave shqiptarë, të mbrojnë qytetarët e tyre, t’i ndihmojnë të përmirësojnë kushtet ekonomike të tyre dhe të familjes së tyre, të cilat përbëjnë kombin shqiptar; mbrojtja e palëve të prekura e dëmtura përtej detit nuk është problemi ynë, është problem i tyre, i vendeve të pasura evropiane, dhe ata mendojnë vetë për to. Dy botë të ndryshme, dy histori të ndryshme, dy të drejta të ndryshme: e drejta shqiptare në tokë shqiptare, e drejta e huaj në tokë të huaj.
Duket se Ministri Xhafaj dhe mbështetësit e tij e konsiderojnë Europën dhe Shqipërinë si dy vende të ndryshme, ku shqiptarët “piratë” kanë të drejtën të shkojnë në Evropë të vjedhin dhe më pas të kthehen në Shqipëri, si piratët dikur në Ishullin Tortuga, për të shijuar frutet e vjedhjes së merituar.
Nëse kjo do të ishte qasja për në BE e të gjitha vendeve anëtare, do të kishte qenë një masakër e vërtetë: qytetarët e çdo vendi anëtar, të lirë në çdo vend tjetër për të kryer krime dhe grabitur, duke e ditur se mund të ktheheshin gjithmonë pa u ndëshkuar në shtëpinë e tyre për të shijuar frutet e “sipërmarrjes” së tyre. Njësoj sikur dikush nga Vlora të mund të vidhte pa u ndëshkuar në Tiranë, mjaft që të rikthehej në Vlorë dhe kjo do t’i siguronte imunitet.
Me këtë qasje, në vend të Europës së Bashkuar do të ishim kthyer në mesjetë.
A mos është ky koncepti i integrimit që ndjek qeveria Rama, për ta kthyer Shqipërinë në një Tortuga në mes të Europës së Bashkuar?!