Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve ku sëmundja e fruthit nuk është shfarosur, pasi vërejti një rritje të madhe të rasteve të të prekurve nga kjo sëmundje në vend.
Më herët OBSH e konsideronte Shqipërinë si një vend ku fruthi ishte shfarosur.
Shqipëria, bashkë me Greqinë, Çekinë dhe Britaninë e Madhe kanë pasur rritje shqetësuese të numrit të raste të të sëmurëve me fruth. Kjo ka bërë që për OBSH-në kjo sëmundje e parandalueshme të mos konsiderohet më si e zhdukur nga këto vende.
OBSH i ka bërë thirrje qeverive të këtyre vendeve që të rrisin përpjekjet për vaksinimin e popullsisë.
Në Shqipëri u raportuan 1466 raste në vitin 2018 dhe 475 gjatë gjysmës së parë të 2019. Në Greqi u raportuan përkatësisht 2193 dhe 28 raste për të njëjtat periudha. Në Çeki dhe Britaninë e Madhe pati më pak raste të fruthit, por sidoqoftë mjaftueshëm për t’u shqetësuar, sipas OBSH.
Në 53 shtete evropiane u raportuan rreth 90 mijë raste me fruth vetëm gjatë këtij viti, shumë më tepër se në 2018.
Kejt Obrajan, drejtuesja e Departamentit të Imunizimit në OBSH tha: “Secili nga këto shtete kanë mbulim të gjerë kombëtar të vaksinimit. Pra, nuk është se kemi të bëjmë me shtete me sisteme veçanërisht të dobëta shëndetësore.”
“Kjo është këmbanë alarmi në të gjithë botën: nuk mjafton të mbulosh [me vaksina] të gjithë vendin; duhet të mbulohet çdo komunitet, çdo familje, çdo fëmijë,” shtoi ajo.
Fruthi është sëmundje ngjitëse, e cila mund të shkaktojë dëmtime apo vdekje te fëmijët. Përhapja dhe parandalimi i saj mund të bëhet lehtësisht me një vaksinë në moshën 12-15 muajshe, dhe një tjetër përforcues rreth moshës katërvjeçare. Vaksina e fruthit gjendet falas në të gjithë Shqipërinë, e siguruara nga OBSH.
Vaksinimi është i rëndësishëm, pasi përndryshe rrezikohet jo vetëm jeta e fëmijës së pavaksinuar, por edhe e të tjerëve. Për shembull, foshnjat e porsalindura, personat me imunitet të ulët dhe të moshuarit janë në rrezik të veçantë për komplikime serioze ose vdekje nga sëmundja, pasi nuk mund të vaksionohen.
Numrat e të vaksinuarve kanë rënë për shkak të lëvizjes “anti-vaksinë”, e cila përhap informacion të rremë dhe spekulime joshkencore, të paraqitura si fakte, duke deklaruar se vaksinat shkaktojnë një mori sëmundjesh, përfshirë autizmin. Kjo lëvizje filloi pasi një mjek ngriti pretendime të rreme se vaksina e fruthit shkakton autizëm. Ai më vonë e tërhoqi pretendimin, pranoi se ishte i rremë, por megjithatë atij iu hoq licenca e mjekut. Pretendimet e tij janë hedhur poshtë gjerësisht nga shkencëtarë, imunologë dhe ekspertë të sëmundjeve në të gjithë botën.
Fatkeqësisht, disa zgjedhin të besojnë informacionin e rremë dhe zgjedhin të mos vaksinojnë fëmijët e tyre. Kjo zvogëlon shkallën e vaksinimit, dëmton imunitetin e njerëzve dhe vë në rrezik të gjithë përreth tyre.
“Keqformimi në lidhje me vaksinat është po aq ngjitës dhe i rrezikshëm sa sëmundja që ndikon në përhapjen e tij,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus këtë javë.
Një tjetër zëdhënës i OBSH-së, Gunter Pfaff tha se “nëse mbulimi i lartë imunizues nuk arrihet dhe nuk i sigurohet vazhdimësia në çdo komunitet, si fëmijët, ashtu edhe të rriturit do të vuajnë në mënyrë të panevojshme dhe disa do të vdesin në mënyrë tragjike.”
Fruthi shkaktoi rreth 109,000 vdekje vetëm në vitin 2017, shumica e të cilave do të ishin parandaluar nëse njerëzit do të ishin vaksinuar.