Organizata Botërore e Shëndetësisë miratoi, të enjte, përdorimin emergjent të vaksinës anti-Covid të prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.
Vendimi “e bën vaksinën gjermane Pfizer/BioNTech të parën që merr vërtetimin emergjent nga OBSH që kur Covid-19 filloi një vit më parë,” tha OBSH në një deklaratë.
OBSH theksoi se miratimi i përdorimit emergjent i hap rrugën institucioneve rregullatore në vende të ndryshme për të miratuar importin dhe shpërndarjen e vaksinës më shpejt.
Vaksina e Pfizerit ka nisur të përdoret në disa vende të botës.
Britania udhëhoqi botën perëndimore, duke autorizuar vaksinën Pfizer/BioNTech në fillim të dhjetorit.
Kanada dhe SHBA filluan vaksinimet e tyre në 14 dhjetor, Zvicra në 23, Serbia në 24, shumica dërrmuese e BE në 27 Dhjetor, Norvegjia të dielën dhe Islanda të martën. Të gjithë ata janë duke përdorur vaksinën Pfizer/BioNTech.
Edhe Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para nga vaksina Pfizer/BioNtech. Dozat e para pritet të vijnë në javën e tretë të janarit.