Organizata Botërore e Shëndetit ka miratuar të premtën, testin e dytë të shpejtë, i cili tregon nëse je i infektuar apo jo me Covid-19 brenda 30 minutash.
Një javë më parë, OBSH miratoi testin e parë të shpejtë dhe pritet që të dy testet të nisin së shpejti prodhimin në sasi të mëdha.
Testet, të cilat i ngjajnë atyre që përdoren për të zbuluar shtatzënitë, do të përdoren dhe lexohen nga punonjësit e shëndetësisë.
Zbulimi i këtyre testeve pritet të lehtësojë shumë punën e stafeve mjekësore në luftën kundër pandemisë.
Pas prodhimit, testet do të shpërndahen në vendet e varfra me një kosto të ulët, deri në 5 dollarë për një prej tyre.
Testet e shpejta dhe të lehta, por me cilësi të lartë do të lejojnë kontrollimin masiv të punonjësve shëndetësorë, të cilët po humbasin jetën në vendet me të ardhura të ulëta.
Kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e quajti zbulimin e këtyrë testeve si një zhvillim të rëndësishëm në reagimin ndaj pandemisë.
Ai i bëri thirrje qeverive që të vazhdojnë luftën kundër saj përmes masave që frenojnë përhapjen e tij.