Ambasadori i OSBE-së në Tiranë kërkoi ndjesë për gjestin që bëri mbrëmjen e së dielës kundër protestuesve të Unazës së Re.
Përmes një postimi në profilin zyrtar të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Zoti Bernard Borchardt tha:
“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje (të dielën). Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht.”
Ambasadori i OSBE-së u vu në qendër të vëmendjes pasi i drejtoi gjeste fyese protestuesve të Unazës së Re. Momenti u fiksua nga kamerat kur Zoti Borchardt po kalonte rrugën dhe u përball me disa brohoritje prej protestuesve.
I gjendur nën trysninë e situatës Borchardt tregoi me gishtin e mesit për nga turma dhe u largua shpejt.
Situata solli në vëmendje protestën e rreth 5 muajve më parë, kur disa të rinj protestuan poshtë pallatit ku banon ambasadori i OSBE-së.
Protesta u bë pas qëndrimeve publike të Zotit Borchardt kundër protestave të dhunshme të opozitës. Protestuesit asokohe e akuzuan ambasadorin se qe kthyer në mbështetes të Kryeministrit Rama. Ata, në një akt të papranueshëm shkruajtën me bojë në hyrjen e pallatit parrullën “Borchardt shame on you!” (“Borshard, turp të kesh”).
Një qasje të ngjashme iu rezervua Zotit Borchardt edhe mbrëmjen e së dielës, ku protestues të Unazës së Re iu drejtuan me thirrjet: Rama ik!