Përfaqësuesi i Operacionit Monitorues të Vetingut, ONM ka rekomanduar Komisionerit Publik apelimin e vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Elbana Lluri.
KPK konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri, në 2 shkurt.
Vendimi u dha nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.
Gjyqtarja Lluri u përball me KPK në 7 janar. Komisioni gjeti pamundësi financiare të gjyqtares për blerjen e dy automjeteve dhe pasuritë e ish-bashkëshortit të saj.
Elbana Lluri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.
Prej vitit 2016, Lluri e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Paralelisht me punën si gjyqtare, Elbana Lluri është angazhuar për disa vite si pedagoge në universitetin “Luarasi”.