ONM dhe një reformë në drejtësi që po shkatërrohet

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
ONM dhe një reformë në drejtësi që po shkatërrohet

Roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në reformën në drejtësi ka qenë shumë i diskutueshëm që në fillim. Debatet e para, në vitin 2016, ndërmjet maxhorancës së Ramës dhe opozitës gjatë hartimit të paketës kryesore të ndryshimeve në Kushtetutë, treguan se nuk kishte asnjë konsensus për t’i dhënë ONM-së,- e përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë ligjorë,- autoritet për të ofruar opinione detyruese në procesin e verifikimit, të njohur si vettingu. Në emër të sovranitetit të Shqipërisë, ONM-së iu dha vetëm një rol këshillues, i cili u sanksionua në nenin B të Aneksit të Kushtetutës.

Në shkurt 2017, shefja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera, befas njoftoi se ONM do të kishte një “Bord Menaxhues”, i përbërë nga Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe ambasadori i SHBA-ve Donald Lu. Duke qenë se një bord i tillë nuk ishte i parashikuar në Kushtetutë dhe dukej si një politizim i ONM-së, Ministri i atëhershëm i Drejtësisë Petrit Vasili kritikoi publikisht Zonjën Ruiz Calavera. Komisioneri i BE për Zgjerimin Johannes Hahn u detyrua të ndërhyjë, duke argumentuar se ngritja e Bordit Menaxhues “nënkuptohej” nga Kushtetuta. Nga ana e saj, Genovefa Ruiz Calavera sqaroi se Bordi Menaxhues kishte “natyrë thjesht administrative”. Nga perspektiva kushtetuese, asnjë nga dy argumentet nuk ishin bindës.

Ky incident ishte vetëm shembulli i parë i marrëdhënies së trazuar që ONM do të kishte me institucionet politike shqiptar. Në fund të fundit, suksesi i ONM-së nuk varet nga profesionalizmi i ekspertëve të tyre, pasi këshilla e ONM-së nuk është ligjërisht e detyrueshme. Kështu Bordi – pra Ruiz Calavera, Romana Vlahutin dhe Donald Lu – duhet të mbronin integritetin e ONM-së dhe të garantonin që roli i saj nuk do bëhej i papërfillshëm me kalimin e kohës.

Për fat të keq, tani që Vlahutin dhe Lu kanë dalë hapur në mbështetje të qeverisë në më shumë se një përplasje politike, duke shpresuar për ndonjë “fitore” të shpejtë pak para përfundimit të mandatit të tyre, pavarësia e ONM-së është “shitur për skrap”, siç do të thoshte Kryeministri.

Kjo u bë e qartë kur Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, duke injoruar ONM-in dhe duke shkelur Kushtetutën, i ktheu rekomandimet e ONM-së për kandidatët në institucionet e vetingut tek Avokati i Popullit dhe kërkoi rihapje të procesit të aplikimit. Bordi Menaxhues i ONM-së dështoi t’i përgjigjet këtij vendimi.

Pasiviteti i OMN-së u bë veçanërisht i dukshëm në përgjigjen ndaj mënyrës në të cilën qeveria bëri zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë  (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj).

Së pari, komisioni parlamentar ad-hoc, pas rekomandimit pozitiv të sekretarit të përgjithshëm të parlamentit Genci Gjonçaj, kualifikoi dy kandidatë që kishin marrë një rekomandim negativ nga ONM. Në të njëjtën kohë komisioni parlamentar skualifikoi një kandidat, i cili jo vetëm që kishte marrë vlerësim pozitiv nga ONM, por renditej si kandidati më i mirë nga komisioni që kishte propozuar emërimet.

Në parlament, meqë nuk mund të arrihej konsensusi midis partive, të gjithë anëtarët e KLP dhe KLGj u zgjodhën me short dhe më vonë u miratuan automatikisht në parlament pasi shumica e nevojshme nuk u arrit as pas tre raundesh votimi.

Në përgjigje të pyetjeve të Exit.al, ONM deklaroi:

“Ligji përcakton kushtet formale dhe/ose kërkesat minimale për përzgjedhjen e anëtarëve në këshill, por lë një nivel të caktuar të vendimit në interpretim. ONM dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, brenda kornizës së tyre të pavarësisë dhe përgjegjësisë, kanë vlerësuar në mënyrë të ndryshme kërkesat minimale për tre raste [kandidatë]. ONM ka vërejtur pikëpamjet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, i cili e ka kthyer vendimin në Kuvend, si institucioni i fundit vendimmarrës.

Dështimi për të rënë dakord me Parlamentin çoi në miratimin automatik të një liste përfundimtare të nxjerrë me short, në përputhje me mekanizmat e zhbllokimit të miratuara me ligj. Megjithëse Komisioni do të kishte preferuar që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të miratonte plotësisht rekomandimin e ONM-së, nuk kemi asnjë arsye për të kundërshtuar ligjshmërinë e vendimit, pasi vetë ligji mund të çojë në interpretime të ndryshme.”

Edhe pse ONM-ja mund të mos ketë “baza ligjore për të kundërshtuar ligjshmërinë e vendimit”, ky do të ishte momenti i përkryer që Këshilli Drejtues të theksonte rëndësinë e ONM-së në reformën gjyqësore . Megjithatë, ambasadorët Lu dhe Vlahutin heshtën.

Në përgjigje të pyetjes të Exit.al nëse ONM do ta theksonte incidentin me institucionet shqiptare në raportin e ardhshëm të BE-së, ONM deklaroi:

“Komisioni Evropian po harton aktualisht raportin e Shqipërisë 2018, duke shqyrtuar përparimin në të gjitha fushat kryesore të politikave. Në këtë fazë nuk mund të bëhet asnjë koment për sa kohë procesi është në vazhdimësi.”

Me fjalë të tjera, kur Komisioni Evropian të prezantojë progresin e reformës në drejtësi, – një nga pesë prioritetet kyçe, – nuk do të përmendet se si reforma po zbatohet në të vërtetë. Kjo do të ishte sigurisht një keqinterpretim tronditës i fakteve, sepse në fakt qeveria shqiptare po injoron këshillat e misionit ndërkombëtar që duhej të garantonte mbarëvajtjen e reformës!

Disa ditë më parë, ONM paraqiti një ankesë kundër Komisionerit Publik Heral Saraçi për “pengimin” e procesit të verifikimit. Të hënën e kaluar, Saraçi u dënua nga një Komision Disiplinor ad hoc i përbërë nga anëtarë të Kolegjit të Apelit dhe u hoq nga pozicioni. Heral Saraçi pretendoi se nuk i ishte sqaruar se cilin ligj kishte shkelur saktësisht dhe mbi cilin bazë ligjore u shkarkua nga detyra, duke fajësuar kështu “vakumin ligjor” për Komisionerët Publik.

Por nga të gjitha ankesat që ONM mund të kishte bërë, përse pikërisht kjo? Përse ONM nuk foli kundër Gramoz Ruçit kur ai shkeli Kushtetutën dhe u përfshi në emërimet në institucionet e vetingut? Përse ONM nuk foli kundër Genci Gjonçajt, kur ai i shpërfilli totalisht rekomandimet e ONM-së dhe kualifikoi dikë që nuk i përmbushte kriteret? Përse ONM nuk sqaroi interpretimin e asaj pjese të Kushtetutës ku flitet për ONM-në, duke përfshirë dhe çdo bord që duhej “nënkuptuar”, sipas Johannes Hahn?

Në vend të gjithë këtyre, ONM zgjodhi të denoncojë një objektiv pa aleatë politik: një Komisioner Publik. ONM zgjodhi objektivin më të dobët që mund të sillte më pak dëm në procesin e vetingut: zëvendësuesit e Saraçit ishin gjithsesi gati për të zënë vendin dhe asnjë politikan nuk do t’i vinte në ndihmë Saraçit – nga frika e “ndërhyjes” publikisht në procesin e “paanshëm” të vetingut.

Me këtë aksion, bordi menaxhues “thjesht administrativ” i ONM-së i ka dhënë një sinjal të qartë elitës politike shqiptare: nuk na interesojnë kushtet në të cilat duhet të bëjmë punën tonë. Nuk na intereson kuadri ligjor në të cilin veprojmë. Na interesojnë vetëm njerëzit e vegjël në zyrën tonë të vogël të vetingut, që kontrollojnë nëpër dosjet e vogla të gjyqtarëve e prokurorëve më periferikë, bazuar në nenet e Kushtetutës të interpretuara brenda kuadrit më të vogël të mundshëm të imagjinatës sonë të limituar. Ne nuk do t’i prekim miqtë tanë të mëdhenj. Ju lutem, mos na prekni as ju ne- na lini të largohemi nga ky vend në paqe!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>