Opozita dënoi dhunën dhe i kërkoi policisë ndalimin e dhunuesve

Opozita dënoi dhunën dhe i kërkoi policisë ndalimin e dhunuesve

Gjatë protestës së sotme, opozita i kërkoi policisë të ndalojë dhe t’i procedojë sipas ligjit personat që ushtruan dhunë. Në një lidhje direkte me televizionet nga bulevardi, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh kështu:

“Ne kemi një kryeministër që helmon popullin e vet në masë. Rama do të mbajë përgjegjësi. Të procedohen dhunuesit, por nuk ka të drejtë të helmojë protestuesit.”

Reagimi i opozitës erdhi pasi policia përdori disa herë gaz lotsjellës ndaj protesuesve. Qytetarët, madje edhe deputetë të opozitës, të cilët nuk po qëndronin afër godinës së kryeministrisë, u panë shpesh duke u përpjekur të mbroheshin nga gazi lotsjellës. Disa gazetarë u detyruan të ndërprisnin raportimin e drejtpërdrejtë për televizionet, pasi nuk arrinin të flisnin nën efektin e gazit.

Të paktën 19 të lënduar nga gazi lotsjellës përfunduan në spital, sipas ministries së shëndetvsisë, mes tyre qytetarë, gazetarë dhe policë.

Më herët gjatë protestës, pikërisht kur aktet e para e prishën qetësinë e protestës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi se hapja e kordonit nga ana e policisë ishte strategjia e qeverisë për t’i nxitur qytetarët drejt dhunës.

Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni, rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë.

Ndërkohë, me presionin më të vogël të turmës […] papritur shohim që hapet kordoni policor.”

[…]Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune. Ata u nxitën dhe u provokuan nga policia.”

Mijëra qytetarët, që iu bashkuan sot thirrjes së opozitës për të protestuar ndaj qeverisë Rama, u shpërndanë qetësisht, pas pesë orësh protestë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha i falënderoi ata dhe njoftoi mbajtjen e protestës së radhës ditën e enjte, më 21 shkurt.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>