Organizata Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri ka mohuar që familja Josifi të ketë qenë pjesë e saj.
Në një deklaratë për shtyp, siguruar nga Shqipëtarja.com, organizata shkruan:
“Po informojmë mediat dhe publikun e gjerë se pjestarët e familjes Josifi jo vetëm që nuk kanë qenë pjestarë të Organizatëz sonë, por as nuk janë shoqëruar ndonjëherë me Dëshmitarët e Jehovait.
Përpjekje për të lidhur këtë ngjarje apo çdo element tjetër të saj me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait është krejtësisht e pabazë dhe madje fyese për besimin tonë.
Dëshmitarët e Jehovait kanë pikëpamjen e Zotit për jetën dhe e çmojnë atë si gjënë më të shtrenjtë. Vetëvrasja me pretendimin për të shkuar në një jetë më të mirë, nuk përputhet në asnjë mënyrë me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait.”
Mbrëmjen e 2 korrikut, policia gjeti trupat e pajetë të Zhaneta dhe Anisa Josifit, nënë e bijë të vetëflijuara në banesën e tyre në Kombinat, ndërsa vajza tjetër, Blerta ishte në gjendje të rëndë.