OSBE ngre alarmin në prag të zgjedhjeve. Kreu i këtij institucioni në Tiranë, Bernd Borchardt, deklaroi se, qarkullojnë rreth 2 miliardë euro të pista. “Këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”, deklaroi ai gjatë një interviste me gazetaren Ilva Tare në Ora News.
Sipas tij, kjo është një nga arsyet që kërkohet dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për të parandaluar këtë fenomen. Deklarata vjen teksa tensioni politik mes qeverisë dhe opozitës është rritur. Ndërkohë kjo akuzë artikulohet prej shumë kohësh nga Partia Demokratike, e cila i trembet blerjes së votave me paratë e pista nga ana e qeverisë.
Faktikisht ky është një alarm për rrezikun e zgjedhjeve, këmbanë e cila bie për qeverinë.
Gjatë intervistës së djeshme, Borchardt foli edhe për protestën e PD-së. Ai e cilëson atë legjitime ndonëse theksoi se, përbën shqetësim bojkoti i Parlamentit.
Borchardt saktësoi edhe një herë çështjen e votimit dhe numërimit elektronik. Sipas tij, OSBE nuk është kundër këtij procesi por theksoi se nuk ka kohë për impelementim.