Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi, të martën, se Kosova pritet të marrë vaksinën pas prillit.
Ajo u shpreh e zhgënjyer me dështimin e qeverisë për ta sjellë vaksinën me hëret në vend:
“Mendoj që kemi vonesa të cilat nuk do të duhej të arsyetoheshin. Shtetet e tjera të rajonit janë para nesh, prandaj ne duhet të kërkojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria se pse ne nuk jemi të përgatitur dhe pritet që, sipas të gjitha gjasave, vaksinat të vijnë diku tek pas prillit.”
Osamani sqaroi se Kosova pret që të sigurojë vaksina jo vetëm si pjesë e programit të vaksinimit Covax, por dhe nga vende të tjera të BE-së.
Pyetur për tentativën e Serbisë për të futur vaksinat në veri të Kosovës, Osmani tha se ky veprim është shkelje e marrëveshjeve deri tani si pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.