Pa plan për të ardhmen, viti i ri shkollor (nuk) hapet sot

Nga Rezarta Caushaj
Pa plan për të ardhmen, viti i ri shkollor (nuk) hapet sot

Ditën e  sotme duhet të niste normalisht viti i ri akademik, por para dy javësh ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi se ai do të shtyhej deri më 27 shtator.

Kushi e justifikoi vendimin duke cituar shqetësimet e ekspertëve dhe mësuesve për nevojën e mësimit plotësues për shkak të boshllëkqeve me mësimin online.

Prej të mërkurës, të gjithë mësuesit do të jenë në shkollë me orar të plotë, ndërsa nxënësit nuk do të jenë të detyruar të shkojnë përditë.

Në një postim në rrjetet sociale, Kushi u shpreh se shkollat “kanë përgatitur një program gjithëpërfshirës, që përveç përsëritjes apo përforcimit të njohurive, përmban edhe aktivitete argëtuese dhe sportive”.

Ajo i nxiti nxënësit të përfitojnë nga perjudha për të rekuperuar njohuritë dhe u kërkoji prindërve të bashkëpunojnë.

Vendimi për shtyrjen e vitit fillimit të mësimit ka hasur kritika nga prindrit dhe publiku, të cilët e konsiderojnë mësimin online si të dështuar.

Në fakt, thirrjet e Kushit për solidarizim nga ana e prindërve dhe nevoja për të zhvilluar mësim suplementar, në thelb, sugjeron të njëjtën gjë.

Por, qeveria tenton vazhdimisht t’i paraqes masat në arsim si të kushtëzuara tërësisht nga pandemia.

Ajo ndihmohet në përpjekjet e saj nga heshtja e mediave pranë pushtetit, të cilat gjatë pandemisë kanë refuzuar të ngrejnë pikëpyetje, jo vetëm mbi mungesën e efikasitetit të mësimit online, përshtjellimin e mësimit të kombinuar, por mbi të gjitha në mungesë të një analize mbi efektin që mësimi ka pasur mbi nxënësit dhe familjet e tyre.

Këto të fundit përballen me vështirësi ekonomike e pamundësi për të punuar dhe kujdesur për fëmijët njëkohësisht.

Për të mos folur për “sukseset” e mësimit digjital vitet e fundit dhe buxhetet që i janë dedikuar, të cilët megjithatë nuk kanë arritur as të sigurojnë pajisje kompiuterike për çdo nxënës. Një pjesë e tyre e kanë zhvilluar mësimin online nga pajisja celular e prindërve e një pjesë nuk e kanë zhvilluar fare.

E, ndërsa hyjmë në vitin e tretë pandemik, ato nuk shohin lehtësim në horizont, pasi minsitria nuk ka paraqitur një plan në rast se vendi do të përjetojë një tjetër valë infektimi.

Shumica e vendeve të zhvilluara i janë përgjigjur thirrjeve për OBSH-së dhe UNICEF-it për të rikthyer nxënësit në shkolla me çdo kusht. Sipas kësaj të fundit, fëmijët janë edhe “viktimat e heshtura” të pandemisë.

Mësimi i pandërprerë në klasa konsiderohet si jetik për zhvillimin e gjithëanshëm të fëmijëve.

“Shkollat janë shumë më tepër se një ndërtesë. Janë një vend mësimi, sigurie dhe loje, në zemër të komuniteteve tona. Kur ato janë të mbyllur, fëmijët, humbin mësimin,  miqtë e tyre dhe mund të ekspozohen ndaj dhunës në shtëpi. Pandemia përkeqësoi një situatë tashmë të papranueshme – ne duhet të sigurohemi që shkollat të rihapen, dhe ato të qëndrojnë të hapura në mënyrë të sigurt, ” thuhet në një deklaratë të UNICEF.

Natyrisht, kthimi në klasa kërkon marrjen e masave kundër koronavirusit si sigurimi i distancës, dezinfektimi i rregulltë i ambienteve dhe personave, testimi i rregulltë i nxënësve, izolimi për rastet pozitive, kombinuar me rritjen e vaksinimit për grupmoshat e rekomanduara.

Në vendin tonë, ministria ka kërkuar vaksinimin e gjithë personelit mësimor deri në fund të shtatorit, një masë dembele në rastin më të mirë.

Shqipëria ka qënë e hapur dhe pa kufizime për turistët dhe mund të deduktohet se javët e para të shtatorit do të sjellin rritje të eksponenciale të numrit të të infektuare.

Në kushte të tilla, nëse synohej vaksinimi i mësuesve, ai do të duhej të kishte përfunduar para 1 shtatorit.

Në daljet e dy javëve të fundit, ministrja Kushi paraqitet pa anjë plan apo referencë mbi masat e ndërrmara tashmë apo ato që do të zbatohen me kthimin e nxënësve në shkolla. Njësoj, mungon edhe publikimi i masave që do të merren nën skenarë të ndryshëm.

Duket sikur, jashtë kamerave, qeveria i ka varur shpresat tek imuniteti i tufës, ndërkohë që, para kamerave, kërkon të duket sikur po merr vendime të vështira për përballimin e pandemisë.

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>