Në 30 vite demockraci kemi zbatuar reformë pas reforme në çdo fushë të mundshme, sidomos në drejtësi e në sistemin zgjedhor. Asnjëra dhe të gjitha bashkë nuk i kanë dhënë fund tranzicionit të vendit dhe Shqipëria vazhdon e vjen rretheqark.
Sot, fatkeqësisht, gjendemi në një gjendje të ngjashme me cilëndo kohë gjatë këtyre tri dekadave. Një tërmet më i fortë se ai i 26 nëntorit ka lëkundur themelet e reformës në drejtësi dhe, ashtu si nga hiçi, duam të bëhemi më danezë se danezët, brenda një muaji, me një sistem të ri zgjedhor. Po na kërkohet të ngremë muret dhe të hedhim çatinë, por pa hedhur më parë themelet.
Shumëkush e sheh reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore si antibiotikun e çdo sëmundjeje të shoqërisë sonë. është e lehtë të biesh dakord se këto dy reforma janë të nevojshme dhe duhen zbatuar një orë e më parë. Por është e domosdoshme të ndërmarrim paralelisht me to edhe një reformë në arsim e edukim.
Kur u miratua reforma në drejtësi para katër vitesh, më shqetësonte një hollësi, që me siguri i ka shkuar në mend shumë të tjerëve: “Po mirë, po këta që do të hiqen, kush do t’i zëvendësojë? A nuk do të jenë produkti i po të njëjtës frymë dhe ambienti?” Këtu mendova edhe veten time, si i diplomuar në drejtësi. Mangësitë në edukimin me ligjet, me frymën e respektit ndaj ligjit dhe të përbashkëtës, mangësitë në edukimin më në përgjithësi janë shumë të mëdha. Reformimi i kësaj fushe duhet të ishte përparësi.
Së pari, nevojitet një reformë në arsim. Gjithëpërfshirëse, d.m.th., të prekë gjithë hallkat e sistemit arsimor. Ndryshimi, pra, duhet të nisë nga çerdhet, kopshtet, cikli i ulët e deri tek ai i lartë e kërkimi shkencor. Pa këtë reformë, politikanët shqiptarë do të vazhdojnë të reformojnë gjyqësorin dhe sistemin zgjedhor çdo 10-15 vite, apo sa herë t’u dojë qejfi, siç kanë bërë deri sot. Përfundimi: në vend numëro.
Dëgjojmë shpesh se kemi profesionistë të mirë dhe se fajin nuk e ka arsimi. Problemi, ama, nuk qëndron tek ana teknike e profesionit, edhe në qoftë e vërtetë kjo. Nuk mjafton të kemi mjekë, gjyqtarë, profesorë, arkitektë e politikanë të zotë. Pikësëpari këta duhet të jenë edhe qytetarë të mirë, të ndërgjegjshëm se jetojnë në një shoqëri të ndërvarur, ku secili ka të drejta dhe detyrime dhe ku të drejtat e tjetrit nuk mund t’i cenosh apo të dalësh mbi ligjin, pavarësisht statusit.
Shoqëria ka nevojë për qytetarë që e kuptojnë se ajo funksionon mbi parime të demokracisë si gjithëpërfshirja e shteti i së drejtës, dhe ku është qeveria ajo që duhet t’i japë llogari popullit dhe jo anasjelltas. Pikërisht, edukimi me qytetari të tillë ne shqiptarëve na mungon. Nuk na trondit aq sa të na bëjë të veprojmë kur preket diçka që nuk na përket, por që në mënyrë jodirekte hedh në erë parimet thelbësore të një shteti demokratik.
Është interesante në këtë pikë përmbajtja e kurrikulave nga klasa e katërt deri në klasën e dymbëdhjetë të në Shtetet e Bashkuara, një ndër pishtarët kryesorë të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në botë.
Në vitin 2004, Senati amerikan miratoi një ligj që detyron çdo shkollë të financuar nga qeveria federale që të përfshijë në kurrikula lëndë ku mësohet Kushtetuta, të drejtat që ajo mbron dhe mënyrën se si funksionon qeverisja e vendit. Rëndësia e të mësuarit të lirive, të drejtave dhe detyrimeve të skalitura në Kushtetutë ilustrohet në thënien e Xhorxh Uashingtonit se “qytetarët janë të vetmit rojtarë të Kushtetutës”.
Zemra e Kushtetutës amerikane janë qytetarët amerikanë dhe pushteti për të qeverisur u përket thelbësisht atyre, jo qeverive. Të mësuarit e këtyre parimeve duke nisur nga modha e herët rrit qytetarë të ndërgjegjshëm për situatën shoqërore dhe politike, por mbi të gjitha të ndërgjegjshëm për të drejtat dhe liritë e secilit. Rrjedhimisht, kjo krijon një atmosferë ku mbizotëron fryma e demokracisë, gjithëpërfshirjes, lirive individuale dhe shtetit të së drejtës.
Kjo është ndër kryesoret që i duhet vendit tonë. Fëmijët sot duhet t’i edukojmë me frymën e të drejtave dhe detyrimeve të tyre. Nëse do ta kishim zbatuar një reformë të tillë më herët, do të kishim shmangur shumë padrejtësi sot. Me shumë gjasa Teatri Kombëtar do të ishte ende në këmbë dhe i mirëmbajtur.
Thonë se thonë në Tibet se “i paedukuari është si zog pa krahë”. Ndërkohë, neve po na kërkojnë të fluturojmë pa krahë, të reformohemi në danezë duke qenë shqiptarë.