Pa reformën zgjedhore, negociatat me BE-në nuk do të hapen

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Pa reformën zgjedhore, negociatat me BE-në nuk do të hapen

Duket se skenari me reformën zgjedhore po ripërsëritet njësoj sikurse ka ndodhur gjatë disa zgjedhjeve të fundit.

Parlamenti po punon sërish mbi propozimin dypartiak për reformën në sistemin zgjedhor. PD dhe PS, në qershor 2017 ranë dakord për të punuar bashkarisht për ndryshimet në kodin zgjedhor bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR të përfshira në raportet e viteve 2013, 2015, 2017, të pazbatuara asnjëherë deri më tani.

Por kësaj herë, rreziku është më i lartë. Në qeshor 2018, Këshilli i Evropës vendosi që në mënyrë që të hapen bisedimet për antarësimin e Shqipërisë në BE, në qershor të 2019, jo vetëm që qeveria duhet të përmbushë pesë “kushtet kyçe”, por pritet edhe të zbatojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR mbi sistemin zgjedhor dhe zgjedhjet vendore të vitit 2019 të zhvillohen me kodin zgjedhor të reformuar.

Si parlamenti hollandez dhe ai gjerman duhet të miratojnë raport-vlerësimin e hartuar nga Komisioni Evropian mbi progresin e bërë nga qeveria shqiptare. Sipas anëtarit të CDU-së në Bundestag, Thorstein Frei “konferenca e parë mbi anëtarësimin do të mbahet pas zhvillimit të zgjedhjeve vendore bazuar në reformën e re zgjedhore e cila duhet miratuar nga të dyja partitë.”

Me fjalë të tjera, reforma zgjedhore është një element kyç në vendimin mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë vitin e ardhshëm.

Megjithatë, në prill të 2018-ës, Komiteti Shqiptar i Helsinkit paralajmëroi se “nuk dihet nëse palët kanë arritur ndonjë marrëveshje për çështjet e rëndësishme që i janë adresuar komisionit apo nëse ka filluar puna për hartimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor”. Gjithashtu Komiteti i Helsinkit theksoi se Parlamenti nuk ka më kohë për zbatimin e ndryshimeve ligjore përpara zgjedhjeve vendore.

Kohët e fundit, parlamenti i zgjati mandatin Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, duke qenë se nuk kishte bërë asnjë përparim deri në qershor të 2017. Por, cilat janë reformat që priten të miratohen nga Parlament bazuar në mbështetjen e dy partive?

Le të rishohim disa nga “rekomandimet kyçe” të OSBE/ODIHR gjatë vitit 2017:

 – Reforma zgjedhore e cila është “përfshirëse, e zhvilluar në kohë dhe e mbështetur në analiza të plota të politikave, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të këtij raporti.” Përfshin harmonizimin e “dispozitave në ligje të ndryshme që kanë të bëjnë me zgjedhjet duhet të harmonizohen, veçanërisht ato në lidhje me fushatën, financimin e fushatës dhe median”

 – “Përpjekje serioze […] për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar, ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor. [..]Një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.

 – Ngritjen e “një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës” me detyrën e ndjekjes “së veprës për abuzim me burimet e shtetit dhe ushtrimin e ndikimit mbi votuesit”.

 – Emërimin mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhorë dhe anëtarëve të grupeve të numërimit.

 – Kufizimet e së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar mendore duhet të hiqen dhe “heqja automatikisht e zgjedhësve të moshës 100 vjeç”.

 – Dispozitat penale për shpifjen duhet të shfuqizohen duke u dhënë përparësi zgjidhjeve juridike civile të hartuara për të rivendosur në vend reputacionin e dëmtuar.

Me fjalë të tjera, Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të rishikojë dhe të harmonizojë të gjtihë legjislacionin që i përket zgjedhjeve; të shkëpusë politikanët nga krimi i organizuar; të krijojë organin e pavarur të monitorimit të fushatës zgjedhore: të depolitizojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe të gjitha komisionet e tjera zgjedhore; të zgjerojë të drejtën e votimit; të ndryshojë Kodin Penal.

Secili nga këto rekomandime, që të plotësohet, duhet — nën  rrethana normale—të marrë muaj diskutime e punime edhe nëse ato do të zhvilloheshin në një mjedis “normal” politik, ku opozita dhe shumica duhet të punojnë në mënyrë konstruktive. Ky lloj mjedisi aktualisht nuk ekziston.

Në ndryshim nga Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore vendos një target të vështirë për qeverinë — zbatimin, përpara qershorit të 2019-ës: të rekomandimeve të cituara më sipër (dhe mundësisht edhe disa të tjera) të OSBE/ODIHR.

Pa këtë reformë vendimtare, mundësia e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE nuk ekziston. Dhe shanset që në qershor të 2019, pas zgjedhjeve vendore, me Komision Evropian të ri dhe me një Parlament Europian të ri, mjedisi politik do të jetë tërësisht i ndryshëm— dhe me shumë gjasa më pak në favor të Ramës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>