I riu 28-vjeçar, i cili mendohet të jetë i infektuari i parë me koronavirus në Shqipëri nuk u kontrollua në pikën kufitare të Muriqanit.
Mjekja Dhurata Hysi pohoi për News24 se 28-vjeçari ka hyrë në Shqipëri më 26 shkurt dhe në atë kohë, sipas saj, Firence, vendi nga ku ai vinte, nuk ishte përfshirë në zonat e prekura.
“Djali hyri më datë 26 [shkurt], në orën 00:40 të natës. Nuk është kontrolluar, pasi Firence nuk ka qenë në zonën e kuqe, nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar atje [duke iu referuar listës së dhënë nga Task-Forca kundër koronavirusit]. Ne kishim prioritet zonat e prekura në Itali dhe Kinë. Ka ditë që kontrollohen të gjithë personat nga Italia, por pas datës 26, më parë vetëm ata që vinin nga zonat e prekura.”
Mgjithatë, më 26 shkurt Firenze, që përfshihet në krahinën e Toskanës, kishte njoftuar 4 rastet e para me koronavirus.
Fakt ky që si duket nuk është reflektuar në listën e përpiluar nga Task-Forca kundër koronavirusit.
Autoritetet shëndetësore njoftuan mëngjesin e sotëm identifikimin e 2 rasteve të para me koronavirus, një burrë 54 vjeç dhe djali i tij 28 vjeç.
Mjekja Hysi u shpreh më tej për News24 se nuk kishte informacione rreth 54-vjeçarit. Ajo theksoi se në listën e kalimeve kishte vetëm djalin, duke lënë të kuptohet se 28-vjeçari e ka bartur virusin dhe më pas ka infektuar të atin.