Pacolli: Aeroporti i Vlorës, projekt madhështor

Nga Exit News
Pacolli: Aeroporti i Vlorës, projekt madhështor

Dy pasi u lajmërua se kompania e tij Mabetex do të ishte pjesë e konsorciumit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli ka bërë një reagim në rrjetet sociale.

Pacolli u shpreh se projekti i aeroportit do të jetë një investim madhështor, ku do të investohen në vazhdën e disa viteve disa qindra miliona euro.

Ai gjithashtu falenderoi qeverinë shqiptare që i ofroi mundësinë për të realizuar projektin.

Pacolli e quajti investimin më të madh të një kompanie private në rajon vitet e fundit.

Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet nga bashkimi i kompanive Mabetex Group (50%), YDA-Group (48%) dhe kompania 2A Group shpk (2%). Vlera e investimit është rreth 100 milionë euro.

Kjo nuk është hera e parë që kompania Mabetex trumpeton mundësinë e investimeve qindra milionshe, pas në 2017 ajo hodhi idenë për të marrë në zotërim zona toke në parkun e Divjakës dhe Karavastasë me qëllim ndërtimin e dhjetëra komplekse vilash, hotelesh dhe pallatesh.

Projekti propagandohej të kapte koston e investimit prej rreth 1 miliardë dollarësh, shifra që në fillim i tundonin banorët e zonës për ta pëlqyer projektin.

Mabetex do të përfitonte dhe nga lehtësitë fiskale dhe ligjore që krijon ligji i investimeve strategjike, i miratuar nga qeveria Rama në vitin 2015.

Ndër lehtësirat ishte edhe përfitimi i tokës publike në rast investimi madhor për turizëm.

Mirëpo, angazhimi i mjedisorëve në diskutimet publike dhe ndërkombëtarizimi i çështjes për shkak të llojeve të rrala të shpendëve që jetojnë në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta dha ndikim. Si rrjedhojë, banorët iu bashkuan qëndrimeve kundër dhe qeveria u tërhoq nga projekti.

Sjellim në vijim statusin e plotë në Facebook të Behgjet Pacollit:

Sot është një ditë e rëndësishme për kompaninë që unë themelova gati 30 vjet më parë.
Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për mijëra njerëz që do të përfitojnë nga ky investim.
Kompania “Mabetex International” ka fituar (për herë të parë në tokat shqiptare) një projekt madhështor në Shqipëri. Është një nder dhe privilegj i madh për mua dhe kompaninë time, që më në fund të ngremë flamurin e Mabetexit në tokën shqiptare.
Në fakt, Mabetex International, me investimet e sajë do të ndërtojë Aeroportin e Vlorës.
Projekti i Mabetexit u zgjodh si projekti më i mirë nga të gjithë ofertuesit.
Unë jam mirënjohës për të gjithë ata që punuan shumë për të fituar këtë projekt dhe gjithashtu falënderoj Qeverinë Shqiptare për veprim të drejtë për të krijuar këtë mundësi.
Vlera e investimit është e madhe.
Në fazen e parë (në periudhën dy-vjeçare) do të ndertohët ndertesa e Aeroportit dhe pista që kapin vlerën e Investimeve mbi 103,500,000 € dhe në fazën e dytë (në 4 vitet e para) do të zhvillohët infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit që arrijnë vlerën e investimeve me qindra miljiona € .
Ky investim konsiderohët si investimi më i madh i ndonjë kompanie private në rajon në koherat e fundit.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>