Autoriteti Palestinez tha të mërkurën se do të marrë reth 60 mijë doza të vaksinës së koronavirus në 48 orët e ardhshme, raporton Associated Press.
Kjo është dërgesa e parë e siguruar nga një program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon të ndihmojë vendet e varfra.
Ngarkesa ka doza mjaftueshëm për të vaksinuar 31,000 njerëz në një popullsi prej gati 5 milion banorësh palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Gaza, të pushtuar nga Izraeli.
Izraeli është përballur me kritika për vendimin për të mos ndarë pjesën e vetë të vaksinave me palestinezët.
Ai tashmë ka vaksinuar 5 milion njerëz – më shumë se gjysmën e popullsisë së tij – dhe ka rihapur kryesisht ekonominë e tij.
Ministria Palestineze e Shëndetësisë, ka njoftuar se autoritetet presin të marrin gjithashtu 38 000 doza të vaksinës Pfizer dhe 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.
Vaksinat AstraZeneca do të mbahen në depo derisa OBSH të shqyrtojë shqetësimet e fundit të sigurisë.
Këto janë dozat e para që arrijnë përmes iniciativës së OBSH-së COVAX, një partneritet global humanitar që ka qenë i ngadaltë si fillim, duke u përballur me mungesën e parave dhe furnizimeve.
Kjo, pasi vendet e pasura kanë nxituar të ecin përpara me fushatat e tyre të vaksinimit.
Këto pabarazi globale është reflektuar më së shumti në Izrael, i cili mburret për një nga fushatat më të shpejta të vaksinimit në botë.
Nga ana tjetër, janë territoret palestineze, të cilat ende nuk kanë marrë vaksina të mjaftueshme për të mbuluar personelin mjekësorë, e lëre më të moshuarit apo ata me sëmundje kronike.
Deri më tani, Autoriteti Palestinez ka marrë 2 000 vaksina nga Izraeli dhe 10 000 doza të tjera të vaksinës Sputnik V.
Autoritetet në Rripin e Gazës, e cila drejtohet nga grupi militant islamik Hamas, kanë marrë 60 000 doza në dërgesat e organizuara nga Mohammed Dahlan, një rival politik i Presidentit Palestinez Mahmoud Abbas, i vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
AP është kritikuar për përdorimin e një furnizimi të caktuar të saj për të vaksinuar zyrtarë të lartë dhe grupet e tyre të sigurisë, si dhe ekipin e futbollit palestinez.
Ministria e Shëndetësisë mbrojti politikat e saj, duke thënë se më shumë se 90% të dozave të saj u ishin dhënë mjekëve të vijës së parë.
Grupimet e të drejtave kanë thënë se Izraeli, si fuqi pushtuese, është përgjegjës për vaksinimin e palestinezëve.
Izraeli i hedh poshtë këto pretendime dhe thotë se përparësia janë qytetarët e tij.
Sipas marrëveshjeve të ndërmjetme të paqes, AP është përgjegjëse për kujdesin shëndetësor në territoret që administron, por të dy palët supozohet të bashkëpunojnë në luftimin e epidemive.
Ap thotë se po siguron furnizimet e veta përmes COVAX dhe marrëveshjeve me prodhuesit e ilaçeve.