
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer deklaroi të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.
Gjatë një konference të përbashkët për media së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Palmer pohoi se SHBA-të vazhdojnë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Sa i përket qëllimit përfundimtar, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës”, u shpreh ai.
Palmer dhe Lajçak janë në një vizitë dy ditore në Kosovë për dialogun Kosovë-Serbi.