Qytetarët e Tiranës do të paguajnë për parkimin e makinës së tyre në 71 rrugë të qytetit. Tarifat për një orë parkim do të variojnë nga 20 deri në 100 lek.
Bashkia e Tiranës ka hartuar një projektvendim ku parashikohet pagesa e parkimit për makinat në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit. Parkimi do të paguhet pesë ditë në javë, nga e hëna në të premte, dhe nga ora 07:30 e mëngjesit deri në orën 08:00 të darkës.
Sipas këtij projektvendimi, 60% e parkimeve do të jetë me pagesë ndërsa 40% do të jetë falas dhe do të rezervohet për rezidentët dhe personat me aftësi të kufizuar fizike.Në disa prej rrugëve nuk do të lejohet parkimi më i gjatë se dy apo katër orë në ditë.