Parlamenti do të mblidhet sot në një tjetër seancë të jashtëzakonshme, për të miratuar shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor.
Propozimin për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë, shpallur që pas tërmetit të 26 nëntorit, e bëri kryeministri Edi Rama.
Propozimi i tij u miratua nga komisioni i Ligjeve dhe sot pritet të miratohet në Kuvend.
Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë nënkupton që masat kufizuese të vendosura nga qeveria të mbeten në fuqi deri në qershor.
Në rast se kuvendi miraton sot këtë propozim, kjo do të jetë hera e tretë që shtyhet afati i gjendjes së fatkeqësisë: fillimisht afati ishte deri në fund të marsit, më pas u shty por deri më 25 prill për shkak të epidemisë.
Deputetët do të marrin pjesë në seancë nën masa të rrepta të distancimit fizik dhe higjienës.
Ç’do të thotë gjendja e fatkeqësisë natyrore?
Gjendja e fatkeqësisë natyrore shpallet nga qeveria në rastet e fatkeqësive natyrore që rrezikojnë shëndetin dhe pasurinë e njerëzve, të tilla si tërmetet, përmbytjet, zjarret apo epidemitë.
Në këtë rast, liritë dhe të drejtat themelore kufizohen me vendim qeverie dhe kanë për qëllim shmangien, kufizimin apo kompensimin e dëmeve direkte apo indirekte të fatkeqësisë natyrore, dhe ato duhet të jenë në proporcion me këto dëme.
E drejta e qeverisë për të kufizuar liritë dhe të drejtat në rastin e fatkeqësive natyrore buron nga përcaktimet kushtetuese, Ligji për Mbrojtjen Civile dhe Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Infeksioneve dhe Sëmundjeve Infektive.
Masat kufizuese nën ligjin për parandalimin e sëmundjeve infektive mund të merren në çdo kohë nga Ministri i Shëndetësisë, ndërsa kufizimet nën ligjin për mbrojtjen civile mund të merren vetëm pas shpalljes me vendim qeverie të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Çfarë të drejtash mund të kufizohen gjatë fatkeqësisë natyrore?
Neni 175 pika 2 e Kushtetutës përcakton se të drejtat dhe liritë që kufizohen gjatë gjendjes së fakeqësisë natyrore janë
- Paprekshmëria e banesës dhe e personit;
- Liria e lëvizjes;
- Kufizimet në lidhje me shpronësimin dhe e drejta për shpërblim të drejtë;
- E drejta për punë;
- E drejta për grevë.
Për më tepër lexoni këtu.