Përmbushja e pesë kushteve kyç është e vetmja mënyrë për Shqipërinë që të hapë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ky është vendimi kryesor i rezolutës vjetore për Shqipërinë, miratuar më 9 tetor 2018, nga eurodeputetët e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian.
Sipas rezolutës, së miratuar me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenime:
“… është shpejtësia dhe cilësia e reformave, ato që do përcaktojnë afatet kohore për pranim dhe kujton që vendimi për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë do të kushtëzohet me përfundimin e procedurave parlamentare kombëtare dhe miratimin e Këshillit Evropian, në varësi të progresit të arritur.”
Për sa i përket një datë të qartë për hapjen e negociatave, në rezolutë theksohet qartë se nuk ka një të tillë, por në qershor të vitit 2019, do të rivlerësohet sërish puna e qeverisë për realizimin e kushteve kyç:
“…merr parasysh vendimin e Këshillit për të rivlerësuar situatën në qershor 2019 dhe përshëndet rrugën e qartë që drejt fillimit të bisedimeve të pranimit dhe thekson faktin se procesi i shqyrtimit përgatitor ka filluar.”
Pra duket qartë që qershori i 2019 është vetëm një afat kohor për të vlerësuar edhe njëherë progresin e bërë nga Shqipëria për 5 kushtet e vendosura, por jo një datë për hapjen e negociatave.
Kjo deklaratë hedh poshtë qëndrimin e qeverisë Rama, e cila që prej qershorit 2018, kur u miratua drafti i parë i rezolutën nga KE, ka propaganduar se në qershor 2019 do të hapen negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së.
Kryeministri Rama në qershor 2018, menjëherë pas votimit të draft-rezolutës, shkroi në Twitter:
“Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE, Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua lufta vijon.”
Raporti rithekson shumë qartë pesë kushtet kryesore për hapjen e negociatave me Shqipërinë: lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; lufta ndaj drogës; reforma në drejtësi; reforma në administratë shtetërore dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Raporti rikonfirmon po kështu kërkesat e Bundestagut gjerman dhe OSBE/ODHIR për kryerjen e reformës zgjedhore dhe zbatimin e saj për në zgjedhjet lokale të vitit 2019.
Për herë të parë, në rezolutë theksohet se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është një ndër vlerat themelore të Bashkimit Europian, ndaj kërkohet nga Shqipëria të miratojë dhe të zbatojë sa më shpejtë një strategji kombëtare për kulturën për të ruajtur trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Duket se kjo kërkesë ka në qendër mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, të cilin qeveria Rama kërkon ta shembë me anë të një ligji “special” që ndër të tjera, bie ndesh direkt me detyrimet që ka Shqipëria në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), që përbën kuadrin rregullues ndërmjet vendit tonë dhe BE-së.