Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë që i kërkon Komisionit Evropian të pezullojë zyrtarisht negociatat e pranimit me Turqinë, për shkak të politikave të saj “armiqësore”.
“I nxisim institucionet e tjera të BE të kushtëzojnë çdo agjendë pozitive, që ata mund të ndjekin me Turqinë, me reformën demokratike,” citohet nga Euractive të ketë thënë raportuesi Nacho Sánchez Amor i grupit socialist dhe demokrat (S&D).
Eurodeputetët kritikuan të drejtat e njeriut në Turqi dhe politikën e saj të jashtme, duke votuar rezolutën me 480 vota pro, 64 kundër dhe 150 abstenime.
Ata kërkuan që Turqia të lirojë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët dhe personat e burgosur pa arsye legjitime.
“Vitet e fundit, qeveria e Turqisë është distancuar gjithnjë e më shumë nga vlerat dhe standardet e BE. Si rezultat, marrëdhëniet kanë arritur në një pikë të ulët historike,” deklaruan anëtarët e PE-së.
Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian ritheksoi se Ankaraja është një partner kryesor për stabilitetin në rajon, duke vënë në dukje rolin e Turqisë në pritjen e miliona refugjatëve.
Por, sipas tyre përdorimi i emigrantëve dhe refugjatëve “si një mjet për ndikimin politik dhe shantazhet nuk mund të pranohet”.