Mazhoranca miratoi sot në parlament aktin normativ të qeverisë për masat shtesë në luftën kundër krimit të organizuar, pagëzuar nga Kryeministri Rama si “paketa anti-KÇK”.
Me 89 vota pro dhe vetëm 17 kundër, mazhoranca i miratoi ndryshimet e masave (kliko këtu për të shqyrtuar aktin normativ) të vendosura me akt normativ nga qeveria më 31 janar.
Sipas Nenit 101 të Kushtetutës, qeveria ka mundësi që në rast urgjence, për të marrë masa të përkohshme, të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit. Por ky akt normativ duhet të miratohet brenda 45 ditësh nga parlamenti.
Duke folur për paketën ligjore, Kryeministri Rama akuzoi opozitën dhe Presidentin se po mbrojnë krimin e organizuar në vend. Ai i quajti deputetët e opozitës “horra dhe hipokritë me kostum që kanë pasur një mikrofon në dorë e ka bërë horr Shqipërinë” tek të huajt.
Në fund të janarit, qeveria Rama miratoi me një akt normativ paketën e njohur si anti-KÇK. Siç Exit News ka analizuar, paketa ligjore është në shkelje Kushtetutës, pasi krijon praktikisht polici dhe hetuesi personale të Kryeministrit dhe i jep kësaj policie të drejtën të përgjojë qytetarë pa vendim gjykate.
Qeveria pretendoi 2 muaj më parë, se ishte konsultuar me partnerët, por ambasada e SHBA-së dhe ajo e BE-së i thanë BIRN-it se deri më 31 janar nuk e kishin lexuar variantin e fundit të paketës.
Nisma ligjore, që ka afat kohor 1 vit, zbatohet nga njësia policore, Operacionit Forca e Ligjit, e cila muajt e fundit ka bërë disa aksione propagandistike me masa sekuestrosh.
Duket se më shumë se luftë e vërtetë ndaj krimit ka për qëllim të tregojë inskenime dramatike dhe disa statistika për t’u treguar vendeve të BE-së se qeveria Rama po lufton krimin.