Institucionet e vettingut, Parlamenti shkel Kushtetutën dhe injoron ONM-në

Institucionet e vettingut, Parlamenti shkel Kushtetutën dhe injoron ONM-në

Dje gjatë një seance të jashtëzakonshme parlamentare, të bojkotuar nga opozita, Parlamenti vendosi t’i dërgojë sërish tek Avokati i Popullit listat e kandidatëve dhe rekomandimet e ONM-së për anëtarët e institucioneve të vettingut.

Nga 193 kandidatë, vetëm 21 prej tyre u kualifikuan dhe morën rekomandim pozitiv nga ONM. Dosja e 79 të tjerëve mund të rishqyrtohet nga komisioni ad-hoc nëse kandidatët dorëzojnë dokumente e certifikatat e kërkuara.

Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të PS, kërkoi nga Avokati i Popullit një periudhë shtesë prej 7 ditësh për përfundimin e këtyre 79 aplikime, si dhe marrjen e aplikimeve të tjera:

“T’i japim një kohë prej shtatët ditësh Avokatit të Popullit këta aplikues që të plotësojnë këto kërkesa formale me qëllim që komisioni ad-hoc të ketë një bazë të gjerë dhe jo vetëm 21 kandidatë për 28 vende. Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe ankesa, të cilëve nuk u është mundësuar aplikimit, t’u jepet edhe një mundësi. Përsëri t’i japim shtatë ditë kohë dhe kuptohet që rendi i ditës është pas një jave pasi të përfundojë ky proces. Kjo punë të bëhet tamam siç e kemi nisur. Komisioni Ad-Hoc të ketë jo vetëm 21 kandidatë për 28 vende por edhe 100 apo më shuimë.”

Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rekomanduar që vlerësimi i 79 kandidatëve me dosje të paplota të mos bëhet nga Avokati i Popullit, por nga komisioni parlamentar ad-hoc:

“…komisioni ad-hoc parlamentar mund të dëshirojë t’i rishqyrtojë këto aplikime dhe të kërkojë certifikatat e munguara në mënyrë që të bëjë një vlerësim sa më të saktë për vendimin që do të marrë për një përfshirje të mundshme të këtyre kandidatëve në listën e votimit.”

Kështu pra, së pari, Parlamenti ka injoruar rekomandimin e ONM-së.

Së dyti, Kushtetuta nuk e parashikon rikthimin e listave tek Avokati i Popullit. Po ashtu, Kushtetuta nuk lejon shtyrjen e afateve kohore e aq më tepër, shtimin e kandidatëve të rinj në listë. Nëse Parlamenti do të ndjekë këtë procedurë, kandidaturat e reja duhet të marrin dhe njëherë vlerësimin e ONM-së përpara se të shtohen në listë.

Nuk është e qartë nëse kjo vërtetë do të ndodhë, pasi Kushtetuta nuk parashikon ndonjë procedurë ku pranimet e vonuara mund të vlerësohet nga ONM. Kjo do të thotë se vendimi i ONM-së për shqyrtimin e kandidaturave nga ky “raund i dytë”, do të politizojë rolin e ONM-së dhe do të kërcënojë neutralitetin e saj.

Dhe së fundi, Gramoz Ruçi,ministri i fundit i Punëve të Brendshme të regjimit komunist, tregon se ai kupton shumë pak nga procedurat e përshkruara në Kushtetutë. Para së gjithash janë 27 anëtarë për institucionet e vetingut, e jo 28 siç shprehet Zoti Ruçi.

Së dyti, komisioni i parë parlamentar ad-hoc përcakton vetëm listën përfundimtare të kandidatëve kualifikuese dhe nuk i zgjedh ato, ashtu siç pretendon Zoti Ruçi.

Po ashtu, është detyrë e komisionit ad hoc, dhe jo e Avokatit të Popullit, për të rishikuar dosjet e 79 kandidatëve dhe për t’i kaluar ato në listën e të kualifikuarve, nëse përmbushen kushtet.

Në një reagim në Facebook, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi sulmoi  dy rekomandimet e ONM-së dhe antikushtetutshmërinë e vendimeve të marra në Parlament:

… në cilin nen të Kushtetutës apo të ligjit e gjeten afatin shtatë ditor dhe procedurën që do kryhet? Nuk ka asnjë afat të tillë. Parlamenti duhej të miratonte një amendament në ligjin e vetting-ut se paku, ku ose të vendoseshin afate të reja, ose të referoheshin afatet normale për këtë fazë të jashtëzakonshme. Me vendosjen e këtij afati, Kuvendi ka shkelur Kushtetutën sepse duheshin 84 vota për ndryshim në ligj.

… Kuvendi po vendos kandidatët në kushte pabarazie. Disa kandidatë që konkurruan më parë e tani mund të plotësojnë dosjen kanë patur 15 ditë plus 7 ditë me afatin e ri, pra 22 ditë, ndërsa të tjerët që kandidojnë rishtazi do të kenë vetëm 7 ditë.

Zoti Bylykbashi shpjegon më tej se që të mbushen 27 vendet në institucionet e vettingut, nevojiten të paktën dyfishi i kandidatëve të deritanishëm.

Siç Exit shpjegoi më parë, përllogaritjet matematikore të procedurës së përshkruar në Kushtetutë janë shumë komplekse dhe pothuaj të pamundura të ndodhin në praktikë, me këtë numër kandidatësh.

Nuk dihet ende nëse Avokati i Popullit do të pranojë të luajë “lojën” e Parlamentit, ku po vihen në rrezik Kushtetuta dhe paanshmëria e procedurës së vettingut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>