Partitë e komunitetit joserb në Kosovë kërkojnë anullim të votave për 2 parti

Nga Exit News
Partitë e komunitetit joserb në Kosovë kërkojnë anullim të votave për 2 parti

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë i kanë kërkuar të anullojnë votat e partisë boshnjake“Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ata argumentojnë se këto dy parti i kanë marrë votat me ndihmën e listës serbe, raporton Radio Evropa e Lirë.

Komunitetet joserbe thonë se “Iniciativa Rome”dhe “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë të këtyre komuniteteve.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, “Iniciativa Rome” ka fituar dy ulëse në kuvend, ndërkaq partia boshnjake, “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, ka fituar një ulëse.

Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat, e cila, sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, nuk arriti të fitojë ulëse, tha se komunitetet joserbe janë të gatshme që këtë çështje ta dërgojnë deri në Gjykatën Kushtetuese, nëse PZAP-ja dhe më pas Gjykata Supreme i hedhin poshtë pretendimet e tyre.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, institut ky që i ka ofruar ndihmë juridike falas komuniteteve joserbe, tha se bëhet fjalë për manipulimin e rreth 10 mijë votave.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një ulëse të garantuar i takon edhe komunitetit goran.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>