Pas katër muajsh negociata, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka arritur sot marrëveshjen e koalicionit me socialdemokratët e Martin Schulz.
Më këtë koalicion më SPD-në, ish-partnere edhe më parë në bashkëqeverisje, Merkel ka siguruar mandatin e katërt për drejtimin e Gjermanisë.
Angela Merkel dhe Martin Schulz, të dy liderët e partive më të mëdha në vend, arritën një marrëveshje mbi politikat që do të ndjekin për katër vitet e ardhshme dhe ndarjen e posteve ministrore.
Dy liderët njoftuan se kanë rënë dakord për platformën e koalicionit të tyre të tretë, që nga viti 2005.
Ata do të nënshkruajnë, pas pak ditësh, marrëveshjen e koalicionit prej rreth 150 faqesh, që përfshin politikat dhe ndarjen e posteve të kabinetit për qeverinë e re.
Megjithatë para krijimit të qeverisë pritet vota e bazës socialdemokrate që nuk është shumë entuziaste për një koalicion të ri me Merkel.
Me gjithë negociatat për koalicion, dy partitë e mëdha, Demokristianët e qendrës së djathtë të Merkelit dhe socialdemokratët e Schulzit vazhdojnë të humbasin përkrahje.
Alternativa për Gjermaninë (AfD), partia e ekstremit të djathtë që u rendit e treta në zgjedhje, vazhdon të marrë më shumë mbështetës.
Sondazhet e muajve të fundit e vërtetuan këtë tendencë.
Në zgjedhjet e përgithshme të zhvilluara në shtator 2017, partia e drejtuar nga Merkel mori 34,7 përqind të votave, partia e Schulz 21,6 për qind dhe në vend të tretë u rendit AfD me 13,5 për qind të votave.