Procesi i vetingut në drejtësi që po aplikon Shqipëria vazhdon të konsiderohet shembull i keq për t’u marrë nga Maqedonia e Veriut.
Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar tha dje se “nuk e sheh të arsyeshëm procesin e vetingut në Maqedoninë e Veriut”. Pas kësaj deklarate Kryeministri në largim, Zoran Zaev ndryshoi qasje duke e konsideruar përpjekjen e tij për reformimin e sistemit gjyqësor si “pastrim” dhe jo “veting”.
Mediat në Maqedoninë e Veriut cituan Zotin Zaev të shprehej i tërhequr nga opsioni i vetingut me arsyen se gjendja në Shkup nuk është e njëjtë me atë të Tiranës:
“Me të vërtetë nuk është momenti për veting sepse vetingu pasqyron gjendjen e shtetit tonë mik të Shqipërisë, që ishe në situatë më ndryshe nga gjyqësori jonë. Por, gjithsesi gjendja në gjyqësor nuk është siç duhet. Kështu që, ne filluam proces të pastrimit të gjyqësorit dhe nuk duhet ta përdorim termin “veting”, nëse është veting, duhet të radhitemi pas Shqipërisë, të presim të kalojmë. Me të vërtetë, s’kemi nevojë për këtë”.
Më parë Zaev pati urdhëruar autoritetet financiare kontrollin e pasurive të gjykatësve dhe prokurorëve. Ai tha sot se këtë nismë e ka kërkuar duke zbatuar ligjet ekzistuese.
Një muaj më parë Kryeministri Zaev tregoi se ishte penguar nga BE-ja për të nisur reformën në drejtësi, me arsyen se Maqedonia e Veriut nuk i ka njerëzit e mjaftueshëm për të zëvendësuar vendet që mund të lihen bosh nga procesi i vetingut.