Pas më shumë se një viti zvarritjesh të tenderit, nis të hënën puna për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook.
Tuneli do të ndërtohet nga kompania ‘Gjoka Kostruksion’.
Shpallja e fituesit të tenderit ka zgjatur më shumë se një vit për shkak të ankimimeve të kompanive pjesëmarrëse në tender dhe hetimeve të bëra nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Tenderi për tunelin është hapur që në prill 2019.
Për të mësuar më shumë për tenderin e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë, klikoni këtu.
Projekti i rrugës Kardhiq-Delvinë
Projekti 36.5 km është planifikuar që në vitin 2007. Ai do të shkurtojë distancën Tiranë-Sarandë në më pak se 3 orë udhëtim. Punimet janë ndarë në 8 segmente me 8 tendera të ndryshëm.
Tre segmentet e para (gjithsej 16.6 km) kanë përfunduar, tre të dytët (gjithsej 14.6 km) janë duke u ndërtuar, ndërsa ndërtimi i segmenteve 7 dhe 8 nuk ka nisur ende.
Kostoja për përfundimin e rrugës do të jetë 60 milionë euro.