Kryetari i Bindjen Demokratike Astrit Patozi e ka eliminuar mundësinë për të kandiduar në një koalicion e listë të përbashkët me Lulzim Bashën, duke u shprehur se ata i ndan vizioni dhe qëllimi.
Ai tha për Report Tv, të premten, se do të kandidojë me partinë e Jozefina Topallit.
“Me Topallin, është nevoja dhe kauza e përbashkët që ne kemi për të dalë në një listë dhe besoj do e arrijmë qëllimin. Ne e duam Shqipërinë më demokratike, më të drejtë dhe më të pakorruptuar”.
Koalicion e opozitës ai e cilësoi si “pazar për hapësirë të sigurt në listë”.
Sipas Patozit kjo është ‘një shëmti, në rrafshin estetik, jo më në rrafshin moral e politik, sepse tregon që për ata nuk ka ndryshuar asgjë’.
Të enjten Basha deklaroi se vendimi strategjik i opozitës është një koalicion dhe një qëllim.
Ai tha se koalicioni përfshin dhe zëra kritik por motivi që mban bashkë është largimi i Edi Ramën dhe interesi i qytetarëve.