Pavarësisht moratoriumit, vazhdon prerja masive e pyjeve

Pavarësisht moratoriumit, vazhdon prerja masive e pyjeve

Në vitin 2016, qeveria miratoi meratoriumin për shfrytëzimin e pyjeve, i cili ndalonte prerjet e pyjeve për 10 vitet e ardhshme. Gjatë prezantimit të moratoriumit, Kryeministri Rama u shpreh i shqetësuar për shkatërrimin e thesareve natyrore të Shqipërisë:

“Shkatërrimi i pyjeve, shkatërrimi i lumenjve, i shtretërve të lumenjve, shfrytëzimi barbar për lëndë drusore, për lëndë ndërtimi, […] na ka sjellë vit pas viti në buzë të një humnere, që ne prej dy vitesh kemi marrë masa për ta shmangur. Por sot, pas dy vitesh jemi në kushtet kur duhet të shkojmë një hap më tutje dhe duhet të hedhim me kurajë dhe vendosmëri hapin e Moratoriumit 10-vjeçar, të ndalimit absolut të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime fitimi, për qëllime industriale, për qëllime tregtare, për qëllime që shkojnë përtej nevojës jetike dhe imediate të banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit.”

Po shumë pak nga ky “ndalim absolut” ka ndodhur realisht. Që prej vitit 2016, qeveria Rama ka larguar gati 600 hektarë tokë të mbjellë me pemë nga regjistri i pyjeve, për t’ua dorëzuar ato kompanive private pranë tij. Ndër kompanitë që përfitojnë nga shkelja e moratoriumit janë emra të njohur si Victoria Invest, kompania pas ofertës së pakërkuar për Unazën e Madhe dhe Salillari shpk, bashkëpronar me kompaninë Kastrati në koncesionin e Rrugës së Kombit dhe terminalit të autobuzëve në Tiranë. Të dyja kompanive ju lejua të ndërmarrin aktivitete minerare në zonat pyjore, pavarësisht moratoriumit.

Ndërkohë, aktivistët e mjedisit vazhdojnë të raportojnë aktivitetet e prerjeve të paligjshme të pemëve në shumë pjesë të Shqipërisë, ndërsa “nevojat imediate të banorëve”, siç u shpreh Kryeministri Edi Rama, shkaktojnë 3 deri në 5 herë më shumë pemë të prera krahasuar me pemët e mbjella, duke vazhduar kështu rënien e përgjithshme të sipërfaqeve të gjelbërta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>