Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë Rama se nuk ka asnjë plan për rikthimin në shkolla të fëmijëve me nevoja të veçanta.
Përmes një shkrimi, ish-deputetja Oriola Pampuri u shpreh se ‘Rama, Shahini dhe Manastirliu i kanë lënë tërësisht jashtë vëmendjes së punës së tyre këtë kategori fëmijësh’, megjithëse viti shkollor është vetëm 3 javë larg.
Zonja Pampuri tha se qeveria nuk ka një plan për transportimin e kësaj kategorie fëmijësh në shkolla; kushtet e distancimit fizik, marrja e masave higjienike për këtë kategori fëmijësh.
Ajo hodhi dyshime dhe për mënyrën se si mund të jetë kryer mësimi online në periudhën mars-maj për këtë kategori fëmijësh:
“Ende sot ne nuk e dimë sesi mund të jetë kryer mësimi online dhe cili ka qenë efektiviteti i këtij mësimi për fëmijët që nuk dëgjojnë e nuk shikojnë, për fëmijët me sindromën Down, për fëmijët me crregullime të spektrit të autizmit, etj.”
Ditët e fundit, opozita ka kritikuar vazhdimisht qeverinë për mungesën e strategjisë për rikthimin e nxënësve në shkolla, në shtator, teksa pandemia e Covid-19 vazhdon.