Duke marrë shkas nga ngjarjet kriminale të ditëve të fundit, Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se ka dështuar të sigurojë rend dhe siguri në vend.
Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj rikujtoi të gjithë ngjarjet e rënda ndodhur ditët e fundit:
“2 vrasje mafioze në Krujë, 2 vrasje të njëpasnjëshme në Vlorë, njëra në formën e një atentati mafioz, 2 vrasje për larje hesapesh në Kurbin, shpërthim tritoli nga Tirana në Vlorë, ky është bilanci i policisë së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt brenda 10 ditëve të fundit.
Krimi bën festë, ndërsa policia ka ikur në drejtim të paditur.”
Alibeaj tha se vrasjet, shpërthimet me tritol, atentatet nuk parandalohen dhe autorët nuk gjenden, sepse shefi i policisë së Edi Ramës është i zënë duke i bërë gjyqin një gruaje, ndërsa policia merret me shfaqje turpshme me dron antikanabis, që zbulojnë vetëm 30 fidanë.
Sipas opozitës, Rama ka dështuar me vendosjen e rendit dhe sigurisë, sepse ai erdhi dhe qëndroi në pushtet duke patur ortak krimin dhe bandat, prioriteti i tij është të mbrojë dhe të pasurojë kriminelët që i mbajnë në këmbë pushtetin dhe jo të mbrojë qytetarët shqiptarë.