Partia Demokratike akuzoi të martën Bashkinë e Tiranës, se ka taksat më të larta në vend.
Përmes përfaqësuesit të PD, Mateo Spaho, demokratët shprehen se Bashkia e Tiranës ka vendosur më shumë taksa për qytetarët dhe bizneset në vitin e ardhshëm.
Përfaqësuesi i PD, në një deklaratë për mediat, tha se me Projektbuxhetin e vitit 2021 kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj do të marrë rreth 120 milionë euro taksa.
“Punë nuk ka berë, por Erion na ka marrë këtë vit pandemie 113 milionë euro.
Për vitin e ardhshëm, pritet të na marrë edhe më shumë, pa na kthyer ato në investimet dhe shërbimet e duhura. Edhe ato që llogarit të bëjë, i bën shumë shtrenjtë, duke na vjedhur”, tha Spaho.
Ai tha se 11 milionë euro do t’u merren më shumë bizneseve dhe qytetarëve për tarifën e pastrimit.
Sipas PD, 5 milionë euro më shumë do të detyrohen bizneset të paguajnë për taksën mbi pasurinë e paluajtshme.
“4 milionë euro do të merren nga e ashtuquajtira taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore”, tha Spaho.