Partia Demokratike ka akuzuar të premten qeverinë se ka dështuar me arsimin në kohën e pandemisë.
Përfaqësesja e PD, Albana Vokshi, në një deklaratë për media u shpreh se pandemia nxori në pah “dështimin e Edi Ramës me arsimin në këto 7 vjet”.
“Dështimi i Edi Ramës me arsimin këto 7 vjet, veçanërisht gjatë pandemisë po u kushton fëmijëve dhe të rinjve të ardhmen. Vendi ynë nuk mund të përballojë dot rritjen e analfabetëve funksionalë, për shkak të paaftësisë së kryeministrit të vendit”, tha Vokshi.
Ajo tha se PD gjatë tre muajve të fundit, ka publikuar dëshmi se tregojnë “përkeqësimin e kushteve në shkolla nga mësues, nxënës dhe prindër”.
“Për shkak të dështimit të Edi Ramës dhe braktisjes së arsimit, mbi 425 mijë nxënës mësuan në një sistem të dobësuar arsimor, mbi 34 mijë mësues u keqpërdorën me mësimin me 2,3 dhe 4 turne, pa u shpërblyer siç duhet”, tha Vokshi.