Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama se ka përdorur fondet e rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti për përfitime zgjedhore gjatë dy muajve të fundit para zgjedhejve të 25 prillit.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi tha se bashkitë e zonave të prekura nga tërmeti kanë rritur në mënyrë fiktive vlerën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
“Edi Rama në bashkëpunim me të emëruarit e tij në bashkitë e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Kamzës, Lezhës, Rrogozhinës, Vorës, Krujës, Laçait dhe Mirditës ka shpërndarë 40 milion euro edhe 2 ditë përpara datës së zgjedhjeve”, tha ai.
Bylykbashi u shpreh se objektet e vlerësuara më parë në kategorinë e dëmtuar DS1 janë rivlerësuar si DS2, dhe atë të vlerësuara DS2 janë rivlerësuar DS3, ç’ka rrit dhe vlerën e parave që ato përfitojnë nga qeveria.
“Gjatë 2 muajve të fundit Rama miratoi 20 VKM për të lejuar disbursimin e paligjshëm të këtyre shumave marramendëse në llogaritë e qytetarëve të targetuar nga makineria qeveritare e manipulimit të votës”, deklaroi ai.
Sipas Bylykbashit, gjatë muajt Mars qeveria ka disbursuar nga fondi i rindërtimit 14 milionë euro dhe 26 milionë euro gjatë muajt prill.
“Vetëm gjate javës zgjedhore Bashkia e Durresit ndau 6 milion euro për procesin e rindërtimit, 89 herë më shumë se sa ka shpërndarë në 15 muajt e fundit”, shtoi përfaqësuesi i PD-së.
Bylykbashi vuri në dukje se qeveria ndalohet të përfshihet në veprimtari të influencimit të votës me fonde publike 4 muaj para zgjedhjeve. Ai nënvizoi se prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim për këtë çështje.