Partia Demokratike ka reaguar për sulmin ndaj kandidatit Luçiano Boçi në Elbasan përmes drejtuesit të fushatës në këtë qark, Gazment Bardhi.
Bardhi ka akuzuar sipërmarrësin Gjergj Luca se ka sulmuar Boçin për interes të Edi Ramës dhe që “vërteton sistemin korruptiv që ai ka ngritur në këto 8 vite”.
“Biznesmeni i Edi Ramës, e beri sot edhe më të qartë zgjedhjen që duhet të bëjnë qytetarët me 25 prill”, shkruan Bardhi në Facebook.
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, denoncoi mesditën e sotme në media se është sulmuar fizikisht nga sipërmarrësi Gjergj Luca pas një takimi elektoral në zonën e Labinotit në Elbasan.
Kandidati i PD shtoi gjithashtu se është kërcënuar me jetë dhe se e ka bërë kallëzimin në policinë e Elbasanit.
Nga ana e tij, sipërmarrësi Luca është shprehur për mediat se ishte “hera e parë që ndeshesha me një politikan rrugaç”.
Ngjarja vjen disa ditë pasi mbështetës të PS-së dhe PD-së u përplasën fizikisht në Elbasan, gjatë festimeve të Ditës së Verës.