Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2021 do të shkojë për rrogat e punonjësve militantë të PS, sipas Partisë Demokratike.
Përfaqësuesi i PD, Akil Kraja, u shpreh se taksat e rritura nga Bashkia do të shkojnë për të paguar punonjësit e bashkisë cilët janë dyfishuar në 5 vite.
Kraja tha se 5 vite më parë Bashkia e Tiranës kishte 4020 të punësuar ndërsa tani 7500, të cilët sipas tij i kushtojnë taksapaguesëve të qytetit plot 51 milion euro në paga e sigurime shoqërore.
“Nëse e konvertojmë këtë shifër në kosto për ditë pune, punonjësit e Erion Veliajt i kushtojnë qytetarëve të Tiranës plot 200.000 euro dita e punës. E ripërsërisim 200 mijë euro dita e punës në paga e sigurime shoqërore…Por nëse shtojmë dhe aparatin e UKT-së, apo dhe punësimet e lidhura drejtëpërsëdrejti me Bashkinë Tiranë, në kuadër të realizimit të buxhetit të saj, në vitin 2021 mund të flasim pa frikë për një Bashki që punëson 10.000 persona.”
Rritja e numrit të punësuarve bëhet për qëllime propagandistike sipas përfaqësuesit të PD. Ata përdoren për të shtuar mbështetjen në rrjetet sociale dhe aktivitetet elektorale të Erion Veliajt.
“Qytetarët e Tiranës e kanë tanimë të qartë. Rritja e rradhës së taksave dhe tarifave bashkiake shkon për të ushqyer një buxhet elektoral prej 166 milionë eurosh dhe për të paguar pagat e 10.000 punonjësve. Ky është buxheti rekord i Bashkisë Tiranë për vitin 2021.”