Pas rrëzimit në parlament të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit, Partia Demokratike ka braktisur sallën e kuvendit.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi, përpara largimit nga salla, se votimi në mbrojtje të Tahirit që akuzohet për bashkëpunim në trafik ndërkomëbtar droge, tregon se qeveria Rama ka rënë:
”Kjo qeveri ka rënë, defakto dhe është e vdekur dhe orët e narkoshtetit kanë filluar të trokasin mbrapsht. Sot me këtë votë mbrojtët veten tuaj, keni ndërruar trëndafilin me lulen e hashashit.”
“Kjo ishte votë për të mbrojtur tenderat e vjedhura, koncesionet klienteliste, pasuritë publike të tjetërsuara, për të mbrotjur gjysmën e meshkujve në kabinetin tënd [i drejtohet kryeministri Rama], të xhiruar dhe të përgjuar nga partnerët që t’i kanë dhënë ty provat si lidhje të drejtpërdejta të krimit të drogës dhe armëve”, vazhdoi më tej Zoti Basha.
Në shenjë proteste, deputetët e PD-së mbanin në duar pankarta me shkrimin “Qeveri Mafioze”.
Reagimit të opozitës, Kryeministri Rama ju përgjigj duke thënë:
“Mos vazhdoni të na urreni se sa më shumë të na urreni sq më shumë do humbisni logjikën.”
Pak përpara largimit të PD-së nga salla, kuvendi hodhi poshtë me 75 vota kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e plotë të imunitetit të deputetit Saimir Tahiri dhe lejimin e arrestimit të tij.