Partia Demokratike ka caktuar Tomorr Alizotin si drejtuesin e saj politik në qarkun e Beratit.
Alizoti është anëtar i kryesisë së PD-së dhe prej vitesh ka drejtuar Departamentin e të Përndjekurve Politikë në PD.
Më herët Alizoti ka qenë dhe diplomat në Gjermani.
Qarku i Beratit ka shtatë mandate dhe është një prej bastioneve historike të së majtës.
Në zgjedhjet e vitit 2017, PD mori një mandate në Berat, ndërsa LSI mori dy dhe PS katër mandate.
Me kalimin e Nasip Naços, një prej figurave kryesore të LSI-së në Berat, tek PS-ja pritet që ky qark të jetë sfidues për PD-në e LSI-në.
Deri më tani PD ka zyrtarizuar drejtuesit politik dhe në këto qarqe të tjera të vendit:
- Edmond Spaho, drejtues i Korçës;
- Mark Marku, drejtues i Lezhës;
- Edi Paloka, drejtues i Durrësit;
- Gazment Bardhi, drejtues i Elbasanit;
- Enkelejd Alibeaj, drejtues i Fierit;
- Helidon Bushati, drejtues i Shkodrës;
- Bujar Leskaj, drejtues i Vlorës;
- Xhelal Mziu, drejtues i Dibrës.